Nga DARINA TANUSHI*

Deputetët socialistë i kanë bërë të shpeshta kritikat ndaj ministrave të qeverisë “Rama”. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, kur në fakt pritej se do të vijohej seria e diskutimeve pas përjashtimit të deputetit Tom Doshi, nuk ndodhi kështu. Ishte vetëm kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme, Arta Dade, e cila shfaqi hapur pakënaqësinë e saj në lidhje me mbrojtjen që po i bëhet nga ana e Ministrisë së Jashtme, projektligjit “Për Shërbimin e Jashtëm”.

Burimet brenda mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar socialist bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se Dade ka thënë: “Ministri nuk ka ardhur të mbrojë projektligjin. Të mos na vijnë drejtorët”. Shqetësimi i Dades i referohej faktit se në vend të Ditmir Bushatit, MPJ është përfaqësuar në nivel drejtori, gjë që është kundërshtuar pothuajse nga çdo komision kuvendor. Kjo është një histori e përsëritur disa herë. Madje ka qenë vetë kryeministri, Edi Rama që ka kërkuar nga ministrat të jenë në komisionet e parlamentit, sa herë që një projektligj ka dalë nga dikasteri i tyre. Ky tashmë është bërë një rregull në Kuvend. Ndaj edhe Dade ka qenë mjaft kritike në lidhje me mospërfaqësimin siç duhet të ministrit Bushati në mbrojtjen e ligjit të hartuar prej kësaj ministrie. Në raste të ndryshme ka pasur edhe kritika për mënyrën se si janë hartuar ligjet. Por këtë duket se qeveria e rregulloi disi, qysh me miratimin e kompetencave të ministres për Parlamentin, Ermonela Felaj, e cila do të kontrollojë çdo projektligj që hartohet nga ministritë, para se ai të shkojë në Kuvend.

SEANCA

Në mbledhjen e djeshme të grupit, një temë diskutimi ishte axhenda e ditës së enjte. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi ka përgëzuar deputetët për qëndrimin që mbajtën në seancën e kaluar. Por, ndërkohë pritet që edhe kjo seancë të mos jetë e qetë, për shkak të zhvillimeve që rrodhën, pas akuzave të deputetit Tom Doshi. Ndaj Ruçi kërkoi dje, në mungesë të kryeministrit Rama, që deputetët të tregohen në lartësinë e duhur. Në këtë mbledhja, e cila është e para pas përjashtimit të deputetit Doshi është mësuar nga burime për “GSH” se Ruçi u kërkoi deputetëve të jenë më aktivë në seancën e Kuvendit.

Nuk është se shumica ka bërë ndonjë plan reagimi ndaj atyre se ç’mund të bëjë opozita, por Ruçi i nxiti deputetët që të jenë të gatshëm për çdo lloj reagimi. Ndërkohë, më 12 mars, opozita ka lajmëruar në orën 11:00 një protestë në sheshin “Skënderbej” dhe përpara Kuvendit. Në mbledhjen e djeshme mësohet se nuk është prekur problemi i zgjedhjeve dhe as përjashtimi apo akuzat e deputetit Tom Doshi. Doshi u përjashtua një javë më parë nga grupi i PS-së, pas akuzave dhe kërcënimeve që ai i bëri kryeministrit Edi Rama, duke i shpallur luftë publikisht. Ndërsa kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, Doshi e akuzoi se ka porositur vrasjen e tij.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb