NGA DARINA TANUSHI*

TIRANË- Problemet e brendshme të Partisë Socialiste dhe debatet që janë hapur së fundi u bënë dje temë diskutimi në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Politikës së Jashtme. Në prani edhe të Ben Blushit, deputetë të PD-së dhe kryetarja socialiste e komisionit, Arta Dade komentuan jo vetëm deklaratat e Blushit, por edhe ato të Pandeli Majkos një ditë më parë.

“Të gjithë duhet të jenë me statutin dhe zbatimin e ligjit për mendimin tim”, theksoi Dade, në një nga momentet e bisedës. Vetë Ben Blushi, i pranishëm si anëtar i këtij komisioni nuk ka folur, por vetëm ka buzëqeshur, në momentet e diskutimeve të kolegëve. Anëtarët e Komisionit të Jashtëm kanë pasur disa minuta pushim për të pritur ardhjen e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ishte thirrur në Komisionin e Jashtëm në një seancë dëgjimore me deputetët mbi debatin e zhvarrosjes së eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, dikur i PS-së, Kastriot Islami e ka nisur bisedën duke u thënë gazetarëve që të ikin se do të bënin një debat për statutin. Pavarësisht fjalës së deputetes demokrate, Jozefina Topalli se, “ne nuk përzihemi në çështje të brendshme”, Islami nuk e ka mbyllur bisedën, por ka ndezur diskutimin, duke kujtuar deklaratat e Pandeli Majkos një natë më parë gjatë intervistës në “Top Story”. Në këtë moment, deputetja Arta Dade, njëherësh kryetare e Komisionit të Jashtëm ka kujtuar se si ishte zgjedhur Majko kryeministër në vitin 1998.

“Po u them një të vërtetë, Pandi është bërë kryeministër në ’98 për shkak të zbatimit të statutit. Meqenëse kryetari i partisë dhe ish-kryeministri dha dorëheqjen, në bazë të statutit i vjen radha numrit dy të partisë që të bëhet kryeministër dhe kështu që u bë Pandi. Në zbatim të statutit, po”, u shpreh Dade. Më pas, deputeti i PD-së, Eduard Selami u shpreh i habitur me atë që kishte thënë Majko se Blushi ka të drejtë, por jam me Ramën.

“Ai tha e mbështes Blushin për statutin, por unë jam me Ramën”, citoi më tej Dade, ndërkohë e gjithë biseda bëhej në sytë e Ben Blushit. Ai as ka denjuar të flasë në komision për këtë çështje, vetëm ka shoqëruar me buzëqeshje. Më tej deputetja Arta Dade ka lëshuar edhe deklaratën e saj për nevojën që të gjithë brenda Partisë Socialiste duhet të jenë për zbatimin e statutit. Në fund, kryetarja e komisionit, Arta Dade, u ka kërkuar gazetarëve të mos e transmetojnë bisedën, pasi kjo ishte jashtë mbledhjes dhe deputetët ishin në pushim.

Por Islami dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule janë shprehur se ky do të ishte lajmi për ditën e nesërme (sotme). Prej ditësh deputeti socialist Ben Blushi kërkon zbatimin e statutit të PS-së, pra lejimin e zgjedhjes së kryetarit të PS-së, përmes një gare të rregullt, siç e përcakton statuti. Por, një pjesë e madhe në PS dhe vetë kryeministri Edi Rama janë të mendimit se meqenëse ai si kryetar dhe partia fituan zgjedhjet, mandati i kryetarit është i konfirmuar automatikisht.
(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: