Ilir Daja, trajneri i Skënderbeut, në intervistën për ndeshjen që ekipi i tij do luaj nesër në “Elbasan Arena” kundër Dinamos së Kievit për “Europa League”, është shprehur se do të bëjnë gjithçka për të mundësuar kualifikimin në fazën me eliminim direkt pavarësisht se nuk varet gjithçka vetëm nga ata.

Shanset për fitore…

Duhet një sakrificë e madhe që të mund të fitojmë nesër dhe kundër Jang Bojs në ndeshjen e fundit. Motivimi është, por do të jetë e vështirë. Gjithsesi ne do të tentojmë gjithçka për t’ia dalë mbanë. Do të na duhet një shkallëzim më i madh në fushë dhe një pjesëmarrje më e madhe në zonën e rreptësisë së kundërshtarit nëse dëshirojmë ta fitojmë këtë ndeshje. Gjithnjë duke qenë të kujdesshëm në prapavijë. Ne kemi luajtur si të barabartë me të tri kundërshtarët. Kemi bërë një futboll të hapur dhe kjo është një arritje jo vetëm për Skënderbeun, por për futbollin shqiptar. Nuk kemi më ndjenjën e inferioritetit dhe jemi pothuajse njësoj si ata në karakter dhe në iniciativë. Ky është një hap pozitiv sepse edhe pritshmëritë e publikut shqiptar ne i kemi përmbushur sa i përket nivelit të lojës.

Stërvitja në Durrës?

Ishte më shumë një vullnet i lojtarëve se sa ndonjë kërkesë e veçantë. Për më tepër ne kemi luajtur shumë herë në Elbasan dhe e njohim fushën.

Fakti që Dinamo është e kualifikuar?

Kjo ka anët pozitive dhe ato negative. Së pari është e rrezikshme sepse ata do të luajnë pa pikë presioni dhe kjo ndonjëherë të bën më të rrezikshëm. Nuk kanë asnjë ngarkesë psikologjike. Nga ana tjetër është e vërtetë që kur je i kualifikuar ndoshta nuk motivohesh 100 për qind. Kjo mund të jetë pozitive.

Çfarë më tremb?

Asgjë nuk më tremb. Në disa momente të veçanta kemi vuajtur mungesën e eksperiencës, por gjithsesi ne jemi paraqitur mirë. Ajo që më tremb mua është ndonjë rezultat që nuk shkon për shtat me nivelin e lojës që kemi treguar deri tani. Ky do të ishte problem.

Lilaj titullar?

Po, Lilaj do të jetë titullar. Është i vetmi që mund të konfirmoj. Ndërsa Jashanica do ta nisë nga stoli. Sa i përket pjesës tjetër do ta mësoni formacionin nesër.

Më mirë 3 pikë me Dinamon apo 6 pikë me Partizanin dhe Kukësin?

Titulli është primar për ne ndaj edhe 6 pikët me dy rivalët tanë janë më të rëndësishme. Por ama nëse fitojmë me Dinamon, mund të kishim një bonus psikologjik për të bërë sërish diferencën me kundërshtarët tanë.

Tifozët?

Futbolli luhet për ata. Do ta ndjejmë mungesën e tyre sepse në këto ndeshje jo vetëm tifozët e Korçës, por të të gjithë Shqipërisë na kanë mbështetur.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb