SHBA- Në raportin vjetor për trafikun e qenieve njerëzore, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilëson Shqipërinë si vend burimi dhe destinacion për trafikimin e burrave, grave dhe fëmijëve. Në raportin e këtij viti Shqipëria klasifikohet në shkallën e dytë, pa ndryshim nga viti i kaluar.

Sipas DASH, gratë shqiptare dhe fëmijët i nënshtrohen trafikimit seksual në Shqipëri, në vendet fqinje si Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Greqi, si dhe në vendet europiane dhe viktima të huaja dhe shqiptare i nënshtrohen punës së detyruar në industrinë e turizmit-thuhet në raport, ku ndër të tjera tërhiqet vëmendja se një numër i madh fëmijësh shqiptarë, shpesh me origjine rome detyrohen të lypin në rrugë.

Disa vajza shqiptare i nënshtrohen trafikimit seksual ose punës së detyruar pas martesave me mblesëri-thekson raporti, i cili përqendrohet edhe tek klandestinët, për të cilët thotë se një numër i madh emigrantësh të paligjshëm nga Afrika dhe Siria kalojnë tranzit në Shqipëri për të arritur në Evropën Perëndimore.

Ndër të tjera, Departamenti Amerikan i Shtetit ndalet në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore duke theksuar se korrupsioni brenda forcave të policisë pengon zbatimin e ligjit për të adresuar trafikimin e qenieve njerëzore. Duke u ndalur këtu, në raport përmendet edhe një deputet i parlamentit shqiptar i cili ka patur dënime të mëparshme për krime të lidhura me trafikimin.

Sipas raportit te DASH, qeveria shqiptare nuk vepron me standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithëse po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë.

Qeveria vazhdon të identifikojë dhe të ndihmoje viktimat por nuk ka siguruar fonde te mjaftueshme për shërbimet ndaj viktimave. Qeveria dhe OJQ-të identifikuan 125 viktima te trafikimit në 2014 thuhet më tej në raport ku vlerësohen përpjekjet për të parandaluar trafikimin.

“Qeveria shqiptare ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të parandaluar trafikimin. duke miratuar një strategji kombëtare dhe plan veprimi për periudhën 2014-2017 për të luftuar trafikimin në nëntor të 2014”-thekson raporti, ndërsa DASH rekomandon që qeveria shqiptare duhet të rrisë financimin e strehimeve të menaxhuara nga OJQ-të për viktimat e trafikimit dhe të sigurojë fonde rregullisht; të vazhdoje të hetojë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarët bashkëfajtorë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: