Më në fund, në limitin e vendosur nga UEFA, edhe Shqipëria ka zyrtarizuar listën përfundimtare me 23 lojtarët që do të na përfaqësojnë në Kampionatin Europian.

Ishin 27 lojtarë që u përgatitën në Austri këto ditë dhe trajneri Xhani De Biasi kishte detyrën aspak të lehtë që të linte 4 prej tyre në shtëpi.

Amir Rrahmani dhe Berat Gjimshiti janë lënë jashtë në mbrojtje, si për shkak të moshës të re, ashtu edhe për faktin se në rolet e tyre ka shumë alternativa, me dy mbrojtësit që janë pas Canës, Mavrajt e Ajetit në mbrojtje. Gjithashtu, Gjimshiti penalizohet edhe nga fakti se vetëm në javët e fundit ka filluar të luajë tek Atalanta, shkruan Sport.al.

Gjithashtu, është kthyer në shtëpi Milot Rashica, një supertalent, por ende në moshë shumë të re dhe mbi të gjitha nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare me kombëtaren A, ndaj edhe De Biasi ka preferuar të mos rrezikojë, duke pasur parasysh se do të luajmë pak ndeshje në pak ditë.

I fundit i përjashtuar ka qenë mesfushori Herolind Shala, gjithashtu një futbollist që luan në një repart ku ka shumë konkurencë dhe penalizohet nga mungesa e eksperiencës dhe minutave me kombëtaren.

LISTA ZYRTARE

Portierë: Etrit Berisha, Orges Shehi, Alban Hoxha

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Mërgim Mavraj, Lorik Cana, Naser Aliji, Frederik Veseli, Ansi Agolli

Mesfushorë: Ledian Memushaj, Ergys Kaçe, Andi Lila, Migjen Basha, Odise Roshi, Ermir Lenjani, Burim Kukeli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi

Sulmues: Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Armando Sadiku, Shkëlzen Gashi

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: