Drejtues të Federatës Italiane të Futbollit kanë kontaktuar drejtpërdrejt me trajnerin Xhani De Biazi për një post të mundshëm të tij në pankinën italiane.

Lajmi konfirmohet nga portali i njohur “Calciomercato.it”, që citon burime nga federata. “Në ceremoninë e 7 marsit kur De Biazit iu dorëzua çmimi i ‘Pankinës së Artë’, zyrtarët e federatës patën mundësinë të flisnin me trajnerin. Një takim i parë me paslëve dhe asgjë konkrete, por nevoja për të kuptuar nëse ka vend për negociata”,-shkruan portali italian.

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, përmendet në artikull si njëri prej kandidatëve potencial për të marrë drejtimin e pankinës italiane. Edhe pse media të tjera italiane e kanë përmendur De Biazin si njërin prej kandidatëve të mundshëm, “calciomercato.it”, flet për herë të parë për bisedime të këtij lloji.

Më herët, pas paralajmërimit se Konte do të lerë postin e trajnerit të Italisë për të drejtuar skuadrën e Çellsit në Premier Ligë, shumë emra të njohur dolën në skenë. Mes tyre ishin edhe emrat e Kapelos, Ranierit, e Mançinit, por këta të fundit u tërhoqën, ose e bënë të qartë se kanë angazhime të tjera. Lista u ngushtua shumë dhe ndër emrat që fliten ende (përveç De Biazit), janë: Roberto Donadoni, Françesko Guidolin dhe Xhixhi Di Biaxhio./Panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: