Më shumë se 100 vetë janë mbledhur mbrëmë para Parlamentit të Maqedonisë për të protestuar kundër projektligjit për zgjerimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë, ndërsa ligjvënësit kanë filluar debatin për këtë dokument.

Protesta ishte organizuar nga disa organizata nacionaliste të linjës së fortë, përfshirë Kongresin Botëror Maqedonas.

Protestuesit mbanin parulla me mbishkrimin “Tradhtia nuk është demokraci” dhe kërkuan që qeveria ta tërheqë këtë propozim, raporton rel.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka premtuar miratimin e këtij legjislacioni kur e ka arritur marrëveshjen për koalicion qeveritar me partitë shqiptare, më herët këtë vit.

Legjislacioni aktual e përcakton shqipen si gjuhë zyrtare, por këtë status e ka vetëm në hapësirat ku shqiptarët e përbëjnë së paku 20% të popullatës.

Shqiptarët e përbëjnë pothuajse një të katërtën e popullatës së përgjithshme të Maqedonisë, që i ka më tepër se dy milionë banorë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb