TIRANE- Nga foltorja e Kuvendit ku ka prezantuar programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme, në këtë mandat të dytë, kryeministri Edi Rama ka folur edhe për debatin e lindur pas “mbulimit” të statujës së Skënderbeut gjatë faljes së namazit për Kurban Bajram.

Me tone të forta, kreu i Qeverisë i ka kërkuar bashkim gjithë faktorit politik në vend. Sakaq, ai e ka cilësuar kërcënim të shqipes dhe harmonisë fetare, si dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve, këtë situatë konfliktualiteti për çështje të tilla.

Rama u shpreh se për rastin e “mbulimit të Skënderbeut” dhe debateve që e pasuan këtë rast, duhet të bëhet një analizë e fortë dhe reflektuese.

“Shqipëria e bashkuar me Evropën, apo bashkimi kombëtar i shqiptarëve janë apo nuk janë paketë e bashkëpunimit tonë? Nuk po flas për Shqipëri të madhe por për një popull të vetëm shqiptar, që ka dy shtete, por është ende larg së qeni i lidhur në të drejta dhe detyrime, kompakt në qëllimet e mëdha. Edhe gjuha jonë sot, shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të arsimit në tranzicion, ca nga çorodia e pjellë prej tranzicionit që na shfaqet në forma shqetësuese marrëzie, si ishte ajo që përfshiu edhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun.

Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë.

Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me cfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”, tha kryeministri Rama.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb