TIRANE- Deputeti i PD-së, Ervin Salianji sqaron në një prononcim për “BalkanWeb” se pse u rreshtua mes demokratëve që kërkuan me ngulm nxjerrjen e kryebashkiakut Erion Veliaj nga Komisioni i Medias.

Ai ka sqaruar debatin me kryebashkiakun pak para se Flamur Noka të çohej nga vendi e të tentonte ta nxirrte me forcë nga komisioni.

Nuk është prona jote, je në vendin e gabuar në këtë komision”,- këto janë fjalët që Salianji i ka thënë kryebashkiakut në momentin që i është afruar.

Deputeti i PD shton se reagimi i tij është i ligjshëm dhe gjithçka ndodhi për shkak të asaj që e quan, mbulim të vjedhjes së 205 milion eurove nga qeveria.

E vërteta e plotë është që Veliaj vjen pa asnjë ftesë, duke mos respektuar Kushtetutën dhe ligjet, dhe tenton t’i imponohet parlamentit dhe ligjit. Reagova në kundërpërgjigje të dhunës më të lartë dhe më të rrezikshme, dhunimit të parlamentarizmit nga një bashkiak i llastuar. Sherri dhe shamata që po bën qeveria është për të mbuluar vjedhjen e 205 milion eurove, ndërsa ne po përballemi për interesin publik dhe për ligjshmëri. Sot në komision nuk ka qenë i ftuar përfaqësuesi i firmës kështu që Veliaj si përfaqësues i interesit të firmës nuk kishte punë ne komision, sot duhej të jepte llogari Ministrja e Kulturës. Përfituesi i 205 milion eurove s’mund të kërkojë mirëkuptim që edhe të vjedhë edhe të uzurpojë parlamentin duke e trajtuar si sallë personale dhe jo si institucion. Gjithësesi i ofrojmë negociatorit “të fortë” që në këmbim të shlyerjes së kostove të daljes nga priza të kabullit të fonisë së mikrofonave, të heqin dorë nga 205 milion eurot e kullave me teatër”,- thotë Salianji për “BalkanWeb”.

Deputeti demokrat sqaron ndër të tjera dhe momentin kur konfrontohet më gardistët, të cilët sipas tij po shkelnin ligjin.

“Veprimi ndaj Gardës ishte simbolik, ndërgjegjësues, kë po mbronte Garda aty? Ne jemi deputetë që po kërkonim rikthimin e ligjshmërisë. Garda duhet ta nxirrte jashtë ndërkohë në shkelje të ligjit dilte përballë deputetëve”,- shtoi Salianji për “BalkanWeb”
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: