Nga ENRIK MEHMETI

HIMARE– Shembja e 19 banesave në Himarë në kuadër të rikualifikimit urban, ka shkaktuar protesta të një pas njëshme ditët e fundit nga ana e banorëve të këtij komuniteti por jo vetëm. Ajo është kthyer në një “mollë sherri” mes Greqisë dhe Shqipërisë madje duke shkuar deri aty sa të përmendet dhe rreziku i votës së Greqisë për integrimin e Shqipërisë në BE.

“News 24” ka kryer një vëzhgim në qytezën e Himarës, ku ka marrë kontakt me disa prej banorëve që i preket prona dhe banesat, disa prej të cilave janë objekte të vjetra, disa të reja, por ka dhe nga ato që janë të pabanuara.

Gati të gjithë banorët e pyetur kanë si kryefjalë çështjen e pronësisë, e cila për vite me radhë është kërkuar që të jepet, por kurrë nuk ka marrë një zgjidhje. Për ta, shembja e banesave dhe marrja e pronës pa u regjistruar më parë, dhe pa u marrë certifikata e pronësisë, është e papranueshme.
Ata akuzojnë se gati në të gjitha qytetet bregdetare është kryer menaxhimi i pronës, por Himara është lënë qëllimisht pa zgjidhje, edhe pse pronat apo objektet janë të faktuara mbi pronësinë se kujt i përket, ku midis tyre ka objekte që janë mbi 300 apo 400-vjeçare.

Sipas banorëve, duke mos marrë certifikatën e pronësisë, për pasojë nuk kanë marrë dot as leje ndërtimi, dhe për këtë arsye një pjesë e banorëve janë detyruar që të kryejnë investimet pa leje, ndërsa pjesa tjetër i kanë lënë godinat e vjetra gërmadha me shpresën e marrjes së hipotekës.
Sipas banorëve, ajo që kërkojnë është regjistrimi fillimisht i pronës, më pas mund të flitet për investime në pronën e tyre.

Një prej banorëve të fisit Konomaj, na ka shoqëruar deri në grykëderdhjen e ujërave të zeza të qytezës, e cila është pranë plazhit publik. Ai ka treguar se Himara ka nevojë më parë për investime emergjente, siç është ajo e një impianti të ujërave të zeza të cilat derdhen pa asnjë filtrim, vetëm 100 metra në vijë ajrore në plazhin publik.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb