Gazetari dhe analisti Mero Baze përmes një shkrimi me titull “Rreth kërcënimeve nga islami politik” komnton debatin që ka plasur pas mbi mbulimin apo jo të bustit të Skënderbeut ditën e faljes s♪7 Namazit të Kurban Bajramit. Baze shprehet se Shqipëria është nën agresionin e një pakice militantësh islamikë, të cilët po testojnë guximin për të ndarë shoqërinë.


Shkrimi i plote

Duhet të pranojmë se Shqipëria është nën agresionin e një pakice militantësh islamikë, të cilët po testojnë guximin për të ndarë shoqërinë.

Edhe pse duket si teprim, në fakt janë shenja të qarta të një islami politik. Nuk kanë lidhje me myslimanët shqiptarë, qofshin këta praktikantë apo thjeshtë respektues të origjinës së fesë së tyre. Ka lidhje me një përpjekje për t’i futur në betejë, myslimanët e Shqipërisë me identitetin e kombit shqiptar, dhe për të bërë fenë, pikë referimi për shoqërinë tonë. Ajo që ndodhi me Skënderbeun e tregoi qartë testin e tyre.

Pjesa zyrtare e myslimanëve shqiptarë, e mohoi gjestin e mbulimit të heroit, se nuk e ndjente atë si një detyrim, dhe u distancua prej saj. Natyrisht, ha debat fjalori i tyre, kjo dhe për shkak të kulturës së tyre, por e qartë ishte që u distancuan.

Një pjesë tjetër debatuan si njerëz normalë, duke u kapur tek fakti se në një pjesë të sheshit mbulohej pamja e Skënderbeut, por ky ishte aksident.

Por ama një pjesë bëri shumë kujdes të mbulonte Skënderbeun, edhe pse ai në fakt nuk u mbulua fizikisht. Ishin ata që thanë se ne jemi myslimanë dhe nuk duhet të falemi para busteve apo portreteve. A thua se nuk e dinin që po faleshin në sheshin “Skënderbej”.

Këta janë ata që janë të qartë çfarë po bëjnë. Janë ata që po trajnojnë myslimanët shqiptarë të ndjehen një herë myslimanë, pastaj shqiptarë, dhe akoma më pak, njerëz me mite kombëtare.

Këta janë bërthama e islamit politik në Shqipëri, drejt të cilit po penetrojnë dhe plot ish-pushtetarë që mendojnë se mund të rikthehen si jeniçerë në pushtet. Janë pak, por janë militantë politikë, janë misionarë dhe janë agresivë. Kërcënojnë gazetarë, si rasti i Xhungës, dhe disa gazetarëve të tjerë, që i kanë injoruar sms-të e tyre, kërcënojnë në debate publike, testojnë të thyejnë “mite” shqiptare dhe të lartësojnë Islamin si identitet të shoqërisë sonë, dhe bëjnë gjithnjë kujdes të identifikojnë probleme te rënda sociale të shoqërisë sonë, duke dhënë si zgjidhje islamin politik.

Disa imamë janë arrestuar nën akuzën se kanë nxitur të rinj shqiptarë të shkojnë në ISIS dhe të marrin pas dhe familjet e tyre. Por dhe ata kanë kërcënuar nga burgjet, kanë kërcënuar gjyqtarin e çështjes dhe shtypin që ndjek gjyqin. Dhe tentojnë të duken si heronj.

Këta të tjerët që ngrejnë kokën në ngjarje të tilla si këto të ditëve të fundit, po ashtu janë agresivë ndaj atyre që duan t’i konsiderojnë shqiptarë, më parë se myslimanë.

Shqipëria duhet të adoptojë një legjislacion të ri, që lidhet me Sigurinë Kombëtare dhe rreziqet e reja për të. Islami politik është një prej tyre. Greqia i heq shtetësinë disa qytetarëve shqiptarë me origjinë greke për një plan rregullues në Himarë, duke gjykuar se cenojnë interesat kombëtare të Greqisë, ndërsa ne jemi tolerantë ndaj atyre që në emër të fesë, apo etnive të tjera, tentojnë të bëjnë ligjin në këtë vend, duke na treguar se çfarë duhet të bëjmë. Çdo vend në botë, qofshin dhe ata më demokratikët, kur janë përballur me rreziqe politike që cenojnë sigurinë kombëtare, kanë reaguar. Amerika nuk është e lumtur për Mcartizmin, por e ka bërë atë. Shumë vende europiane si Franca, Gjermania, përfshi dhe fqinjin tonë Greqinë, kanë legjislacion dhe për propagandë raciste, antisemite, profashiste etj. Ne duhet të bëhemi gati për luftë me islamin politik. Është një nga bombat që mund të hedhë në erë këtë vend, nëse injorohet dhe lejohet të depërtojë si një formë e re sundimi mbi dështimet e 25 viteve. Duhet ta bëjmë këtë, së pari për të mbrojtur myslimanët shqiptarë në paqen e tyre me veten dhe Shqipërinë. Dhe më pas, për të siguruar që të mos cenojmë asnjë grimë, një nga identitetet më me vlerë që na nderon para kombeve të tjera, harmonia fetare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: