Teuta kërkon vazhdimësinë në përballjen me Flamurtarin dhe, për ta arritur këtë, priten më tepër gola nga sulmuesit. Këta të fundit do të kenë një detyrë të vështirë në Vlorë, pasi kuqezinjtë janë ekipi i dytë që ka pësuar më pak gola në këtë edicion. “Djemtë e detit” janë optimistë, me boshnjakun Anel Dediç që beson se do të jetë sërish protagonist.

“Personalisht nuk e njoh shumë Flamurtarin. Mendoj se është një ndeshje e vështirë, që kërkon impenjim maksimal për të dalë me rezultat pozitiv. Besoj se i kemi të gjitha shanset për t’i thyer, ashtu siç ata bënë me ne në fazën e parë”, është shprehur ndër të tjera Dediç gjatë një intervistë për “Panorama Sport”.

A i druheni Flamurtarit, pasi në ndryshim nga faza e parë tani ka shkëlqyer…?
Nuk kemi asnjë lloj frike, ne mund të luajmë kundër të gjithë skuadrave të Superiores pa problem. Unë besoj te skuadra ime, sepse jemi një grup i mirë lojtarësh. Këtë keni për ta parë në ndeshjet në vazhdim.

Si është atmosfera në ekip, duket sikur ka shumë besim?
Kemi fituar në dy ndeshjet e fundit dhe normalisht që besimi është më i madh. Ne përgatitemi në kushte shumë të mira, duke bërë një stërvitje të shkëlqyer dhe gjithçka është në rrugën e duhur.

Ndeshja do të luhet pa tifozë, një element pozitiv për ju?
Për ne, mendoj se është më mirë kështu, prandaj shpresoj të fitojmë.

Po kaloni një formë të mirë, në ndeshjen e fundit keni shënuar dy gola. Po ndaj Flamurtarit mendoni se mund të gjeni sërish rrugën e rrjetës?
Po, tani ndihem mirë. Kam shënuar gola dhe skuadra ka fituar. Më e rëndësishme për mua është të fitojë Teuta, pak rëndësi ka se kush shënon, megjithatë kur e dërgon topin në rrjetë kënaqësia është e madhe.

Deri tani keni shënuar katër gola, i keni vendosur një objektiv vetes?
Nuk më pëlqen të them një shifër, e rëndësishme është që kam shënuar. Shpresoj të vazhdoj kështu dhe të mos ndalem më, duke e ndihmuar ekipin që të marrë pikë me golat e mi.

A ka qenë i vështirë ambientimi te Teuta, me kë shoqëroheni më tepër?
Pak në fillim për shkak edhe të gjuhës, ndërsa tani ndihem shumë mirë. Më pëlqen shumë ambienti dhe qyteti. Me Ante Hrkaç rri më shumë dhe ai është miku im i ngushtë këtu.
Burimi:http://www.panorama.com.al/sport/dedic-karikon-teuten-nuk-kemi-pse-ti-trembemi-flamurtarit/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: