*Lubonja: Mos të dalin e të thonë aty pse thotë Berisha rrëmbeni armët, kështu vjen puna kur ti nuk ke asnjë lloj diplomacie për popullin
*Rama: Merrni votat, pastaj kërkoni stadiumin

TIRANE-Shoqëria Civile është ndaluar të marrë pjesë sot në dëgjesën për stadiumin e ri, “Arena Kombëtare”. Garda e Republikës ka ndaluar përfaqësues të Shoqërisë Civile të hyjnë tek dëgjesa për stadiumin, ku kryeministri Edi Rama mbrojti projektin e publikuar në media.

Gjergj Bojaxhi, Andi Bushati, Fatos Lubonja, Erjon Tase nuk janë lejuar të hyjnë në sallën e ‘Hotel Tirana’. Ndërsa gazetari Ylli Rakipi ka qenë i ftuar dhe ka marrë pjesë në dëgjesë. Por ai ka dalë për të pritur dhe më pas të hynte sërish me kolegët, të cilët nuk janë lejuar.

“Kjo paturpësi nuk mund të arrijë deri këtu. Ky është privatizim i shtetit, kuptoni apo jo”, tha Lubonja.

“Kjo është dëgjesë publike, dhe ne nuk lejohemi të dëgjojmë”, tha Bojaxhi.

“Erdhëm për të marrë pjesë në prezantimin për projektin mbi stadiumin e ri, por aty morën pjesë vetëm ministra e zv/ministra. Ne as nuk na njoftuan por e morëm vesh nga burime të brendshme që do bëhej sot kjo”, shtoi Bojaxhiu.

“Këtu bashkohet arroganca, dhunë e pastër kjo e sotmja. Shoqëria Civile është prononcuar për këtë projekt, shumë individë janë prononcuar dhe pse na u shfaq në këtë mënyrë, si rezultat i këtij presioni na thanë hajdeni dëgjoni dhe nuk na lanë. Ne do përdorim çdo mjet të mundshëm, siç tha arkitekti italian, do lidhem me litar që të mos shembet kjo vepër. Po këto akte duhet që të ndalohe,n këto akte të turpshme. Dhe nëse dhuna nuk ndalon do veprojmë. Bashkohet injoranca, arroganca, mungesa e çdo lloj diplomacie për një politikan, është dhunë e pastër, mos të dalin e të thonë aty pse thotë Berisha rrëmbeni armët, kështu vjen puna kur ti nuk ke asnjë lloj diplomacie për popullin, pse organizon takim me publikun në një objekt privat”, u shpreh Lubonja.

“Ndërkohë që gjoja dje hap qendër dialog, por dialog është kur merr një vendim dhe merr mendimin e të tjerëve, dëgjon ekspertët dhe këtu ke gjithë shoqërinë civile që duan të mësojnë. Tani del bodigardi të ndalon, kjo është skandaloze, nuk qëndron”, tha Lubonja.

Lubonja: Na u tha për dëgjesë publike. Erdhëm, na lini ta të hyjmë të dëgjojmë…
Gardisti: Ju nuk keni asnjë lloj të drejte të hyni brenda në sallë…
Lubonja: Është pronë private? Po nuk po e marrim vesh në cfarë shteti po jetojmë…
Gardisti: Unë jam në shërbim…
Lubonja: Po kryeministri është lejuar të hyjë?
Gardisti: Ju lutem, është pronë private, unë jam në shërbim, mos më protestoni këtu
Bojaxhi: Nuk kemi ardhur për të protestuar. Kemi ardhur për të dëgjuar këtu, në mos gaboj brenda ka dëgjesë publike.

REPLIKA NE DISTANCE
Por një replikë Rama-Shoqëria Civile është kryer në distancë. Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë jashtë “Hotel Tiranës” ku ka prezantuar projektin për stadiumin e ri “Qemal Stafa” për anëtarët e kabinetit të tij dhe deputetët e PS-së. Disa dhjetëra aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë e kanë pritur atë në fund të mbledhjes pasi ka dalë për të hipur në makinë, me një pankartë të madhe “Stop Arrogancës”.


Por Rama është mjaftuar vetëm me një rreplikë me shoqërinë civile: “Merrni votat një herë pastaj hajdeni…”.
Makina e kryeministrit Rama u mbulua nga truprojat e Gardës, ndërkohë që pasi ai u largua me eskortën e tij, pas tij kanë dalë të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe deputetë të PS-së, që ishin në takim.

rama

RAMA, SHOQËRISË E GAZETARËVE: NUK ISHTE DËGJESË PUBLIKE POR MBLEDHJE E HAPUR, BËTË TEATËR
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasditen e sotme për ‘përplasjen’ e tij me shoqërinë civile dhe mos lejimin e përfaqësuesve të saj dhe gazetarëve në mbledhjen e KKT-së. Pasi e quan ‘teatër’ atë që bëri shoqëria civile dhe gazetarët, Rama thotë se mbledhja nuk ishte dëgjesë dhe se të ftuarit nuk kishin të drejtë fjale.

“Unë nuk di të ketë ndonjë njeri apo grup njerëzish të quajtur shoqëri civile, që kanë të drejtën të pengojnë fizikisht punën e institucioneve apo të hyjnë të paftuar (ose të përdorin një ftesë nominale, për të hyrë me një çetë nga pas), në një aktivitet të organizuar nga një institucion. Nuk di as të ketë ndonjë gazetar në botën e lirë, që gëzon të drejtën apo akoma me keq, e kërkon forcërisht të drejtën për t’u futur, i paftuar, në një takim apo aktivitet qeveritar.
Jam shumë i keqardhur që njerëz që i thonë vetes shoqëri civile, apo që shkruajnë e komentojnë nëpër media, sot kanë luajtur teatër në dyert e Këshillit Kombëtar të Territorit, dhe kanë vene kujën sikur u shkelën në ndonjë të drejtë!
E vërteta e thjeshtë është se dy prej tyre që ishin të ftuar, nuk pranonin të hynin në aktivitet pa “shokët” që kishin marrë me vete! Aktiviteti nuk ishte një dëgjesë publike (KKT me ligj është një organ kolegjial, ku të ftuarit nuk e kanë në asnjë rast të drejtën e fjalës), po një mbledhje e hapur e Këshillit Kombëtar të Territorit, në mënyrë që publiku të mund të njihej në detaje me projektin e Arenës Kombëtare – përmes medias së pranishme natyrisht po edhe përmes disa përfaqësuesve të ftuar të grupeve të interesit.
Ndërkohë në sallë ishin të ftuar mbështetës dhe kundërshtarë të projektit, me idenë dashamirëse që veçanërisht këta të fundit, të mund të debatonin pas pjesës zyrtare, me arkitektët e stadiumit. Kështu edhe ndodhi në fakt me ata kundërshtues të projektit që erdhën normalisht, dëgjuan normalisht, folën çfarë deshën normalisht. Ashtu sikundër, krejt normalisht, të tjerët nuk u lejuan të hyjnë. Kaq është e gjitha”, reagoi Rama në facebook.

Më herët kryeministri Edi Rama ka reaguar edhe në rrjetin social mbi prezantimin e projektit te Stadiumit te ri.
“Paraqitje mbreselenese e projektit te Arenes Kombetare. Edhe Shoqata e Arkitekteve pranoi se ishte ngutur nga mosnjohja e plote e projektit”, shkroi Rama ne Facebook.

LUBONJA: SHTETI YNË FUNKSIONON SI ORGANIZATË KRIMINALE
Më pas Lubonja ka reaguar edhe në rrjetet sociale për ‘përplasjen’ me kryeministrin Rama dhe ndalimin e tyre në dëgjesën publike. E Lubonja ka pasur vetëm kritika për Ramën. Ai i ka quajtur propaganda mediatike, dëgjesat si të sotmet.

“Me sjelljen e sotme kryeministri tregoi se partneriteti publik privat eshte per te penguar transparencen ndaj shoqerise civile dhe te ashtuquajtuarat prezantime jane vetem propaganda mediatike per te mos lejuar nje debat te shendetshem dhe te plote mbi efektet negative qe shkakton ky projekt per qytetaret e Tiranes. Me pretekstin per te ndertuar nje stadium me standarte europiane qeveria eshte duke perkeqesuar standartin urban te qytetit.
U ftuam si publik per prezantimin e nje projekti si stadiumi kombetar. Cuditerisht ky takim u organizuar ne ambientet e nje privati (klient i tenderave te kryeministrit) dhe jo ne nje ambient publik. Cudia smbaron ketu.
Rojet e ketij privati ndalojne me dhume hyrjen ne salle te atyre qe Kryeministri i ka ne liste si kritike te projektit. Ne salle hyjne vetem yesmenet e tij. Dhe e gjithe shfaqja transmetohet live si paraqitje para publikut e projektit. Kjo eshte per mua zhveshja krejtesisht e maskes. Treguesi se ne cfare shkalle shteti eshte kapur nga privatet te cilet ne bashkepunim me maskat e tyre si Kryeministri e sherbetoret e tij grabisin publikun dhe rrahin apo ndalojne sa here tendojne te mbrojne pronen publike qe po u grabitet.

Perdorimi i policeve private per te bere akte te tilla nderkohe qe projekti eshte kryer ne kundershtim edhe me ligjet ne fuqi tregon se shteti yne funksionon si organizate kriminale.

E gjitha kjo qe ndodhi e tejkalon shume ceshtjen e nje projekt stadiumi. Dhe meqe eshte folur shume per Wemblin si shembull i nje stadiumi historik qe prishet duke na krahasuar me britniket po ju them se po te ishte vepruar keshtu sic veproi sot ky Kryeminister ne Londer sot do te ishte djegur nga londinezet selia nr 10 ne Downing Street, jo thjesht per te mbrojtur nje stadium, por per te mbrojtur demokracine, lirine dhe dinjitetin qytetar”, deklaron Lubonja.

 

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: