TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu ka komentuar deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit për pjesëmarrjen e të gjitha partive politike në zgjedhje dhe mbështetjen për reformën në gjyqësor.

Në një status në “Facebook”, Shehu shkruan se komentet e kryeministrit Edi Rama janë spekulative dhe i shmangen zgjidhjes së problemeve. Sipas tij, në deklaratën e DASH theksohet mbështetja ndaj Shqipërisë dhe jo ndaj qeverisjes apo dikujt tjetër.

STATUSI I TRITAN SHEHUT
Komentet e Z.Rama për Deklaratën e Departamentit te Shtetit janë spekulative, tendencioze dhe i shmangen zgjidhjes së problemeve tona.

Në deklaratë theksohet qartësisht “mbështetja ndaj Shqipërisë” edhe për të realizuar reformën në drejtësi dhe jo mbështetja ndaj Qeverisjes, maxhorancës, dikujt tjetër, qoftë dhe për ndryshimet në drejtësi kjo.

“Shqipëria” nuk është vetëm Z.Rama apo PS.
PD, si pjesë e ” Shqipërisë” është e involvuar seriozisht për një Reformë në Drejtësi, për drejtësi të pavarur e mirëpret qartësisht ndihmën e SHBA.

Në deklaratë i bëhet thirrje forcave politike shqiptare të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, pa përmendur datën “18 qershor” aty, por të shtuar në komentet e Z.Rama, veçse nga ai.

PD asnjëherë nuk ka thënë që do të bojkotojë zgjedhjet, ajo kërkon plotësimin e konditave për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, pavarësisht datës së tyre, që nuk përmendet edhe në deklaratën e DASH. Spekulimet e qëllimshme të z.Rama nuk janë serioze dhe as produktive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: