TIRANE – Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi ishte i pranishëm në homazhet e zhvilluara në Varrezat e Kllogjerit në Konispol. Në këtë vend më shumë se 2900 shqiptarë të Çamërisë kanë humbur jetën pasi u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre në Çamëri.

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, tha se të parët nuk harrohen dhe se çështja çame zgjidhet nëse në tavolinën e bisedimeve do të jenë PDIU dhe Shoqata Çamëria.

“Sovraniteti Kombëtar, Çamëria e identiteti kombëtar nuk negociohen, por zgjidhen me reciprocitet e dinjitet. Që të zgjidhet çështja çame duhet të jenë në tryezë vetë çamët, Shoqata “Çamëria” e PDIU, se na është dashur t’ju mesonim dhe historinë e Çamërisë, ngaqë nuk e kishit haberin… e pastaj do ta gjeni dhe forcën dhe argumentin. Po si është e mundur që këta politikanë që i vërsulen njëri-tjetrit si të dehur nga hashashi e pushteti, shburrërohen e të mbesin në dorë, kur ulen me grekun… Kështu duan të na e vrasin xhixhon dhe nunë, duke ju harruar emrin! Por, pse mund të harrohen të rënët tanë që vijmë i takojmë përvit këtu në Kllogjer!”, tha z.Idrizi.

Kryetari i PDIU theksoi se do të ketë një program të ri që do i drejtohet institucioneve, për zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

“Ja ku po ju them se tradhëtinë e nënshtrimin e radhës të shtetit shqiptar ndaj fqinjit, do i përgjigjemi vetëm me një kryefjalë dhe kusht të vetëm për bashkëpunim; një program të përbashkët, ku zyrtarisht të kërkohet nga shteti shqiptar zgjidhja e kësaj çështje pranë insitucioneve të së drejtës Europiane. Ky është premtimi im, por vetëm bashkë me ju do mundim t’ia dalim”, u shpreh kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Z.Idrizi bëri me dije se askush nuk do të bëjë të mundur harrimin e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

“Vetëm një mundësi keni që ta bëni Çamërinë të harrohet, një dhe vetëm një; të na zhdukni nga faqja e dheut të gjithë ne çamët! Pastaj të zhdukni fizikisht të gjithë patriotët e Shqipërisë, Kosovës, Diasporës! Nëse na e merrni jetën të tërëve, po keni për t’ia dalë. Por, sa kohë të jenë këto gurë varri, sa kohë të jemi ne gjallë që lutemi dhe kujtojmë shpirtrat e të parëve tanë, kurrë nuk do të na bëni ta harrojmë Çamërinë! Ja pra, ku jemi edhe sot para një marrëveshje dhe prapë kanë heshtur, kanë qepur gojën. Prandaj, shumë kush mund të thotë: Si do t’ia bëjmë? Sot, po ju them, që vetëm një përgjigje kemi: Të çohemi në këmbë!

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: