Ministri rus i Ekonomisë, Maksim Oreshkin, ka thënë se Moska do të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara për tarifat e vëna në importet e çelikut dhe aluminit.

Oreshkin ka thënë përmes një deklarate për media se tarifat shtesë do të prekin produkte të ndryshme amerikane.

“Rusia është duke shfrytëzuar të drejtat e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë andaj po prezanton masa balancuese në importet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara”, është cituar të ketë thënë ai.

Ai nuk ka përmendur llojin e importeve, mirëpo ka thënë se masa do të përfshijë masa që janë të barabarta me produktet e prekura, në mënyrë që të mos dëmtohet ekonomia ruse, shkruan rel.

Lista e produkteve amerikane që do të jenë cak i tarifave ruse do të bëhet publike javën e ardhshme, ka njoftuar ministria.

Uashingtoni ka vënë tarifa 25 përqind në çelik dhe 10 përqind në alumin në muajin mars, duke cituar arsye të sigurisë kombëtare. Shtëpia e Bardhë pati njoftuar se masa synon të kufizojë importet nga Kina.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb