TIRANË- Pas përmendjes së emrit nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si një prej personave që deputeti Tom Doshi ka akuzuar për organizimin e vrasjes së tij, ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit ka vendosur të reagojë.

Në një deklaratë për mediat, Agron Kuliçaj ka hedhur poshtë përpjekjet sipas tij për implikimin në këtë inskenim, ndërsa shprehet i hapur për çdo hetim nga organet e zbatimit të ligjit. “Edhe një herë deklaroj publikisht se nuk jam i përfshirë në këtë inskenim dhe se jam në dispozicion të çdo lloj hetimi në lidhje me këtë çështje”, deklaron ish-nëndrejtori i policisë.

Kuliçaj ka sqaruar edhe lidhjet me personat e tjerë të përmendur në deklaratën e ministrit Tahiri. Ai ka thënë se ish-shoferin e Partisë Republikane nuk e njeh dhe nuk ka patur asnjë komunikim, ashtu si edhe me Ylli Xhaxhollarin.

“Në lidhje me deklaratën e Ministrit të Punëve të Brendshme, ku përmendet edhe emri im si i përfshirë në organizimin e vrasjes së  tij, sqaroj opinionin publik si më poshtë:

Hedh poshtë me neveri dhe përbuzje çdo përpjekje për implikimin tim në këtë inskenim, të bërë nga Zoti Doshi apo persona të tjerë. Jam i hapur për çdo lloj hetimi apo verifikimi që mund të bëhet nga Prokuroria dhe organe të tjera të zbatimit të ligjit dhe garantoj bashkëpunimin tim në interes të sqarimit të së vërtetës. Në lidhje me personat e përmendur nga Ministri i Punëve të Brendëshme si të përfshirë në këtë komplot kam për të sqaruar;

  1. Shtetasin Fatjon Skëndëri, nuk e njoh dhe nuk kam patur dhe nuk kam asnjë lloje komunikim as verbal as telefonik gjatë gjithë jetës time. Ky fakt është i verifikueshëm lehtësisht nga çdo lloj hetimi.
  2. Shtetasin Ylli Xhaxhollari, nuk e njoh dhe nuk kam patur dhe nuk kam asnjë lloj komunikim as verbal as telefonik gjatë gjithë jetës time. Ky fakt është i verifikueshëm lehtësisht nga çdo lloj hetimi.
  3. Me shtetasin Ymer Lala, nuk kam asnjë lloj lidhje shoqërore dhe miqësore. Njohja me këtë person lidhet vetëm për shkak të detyrës që unë kam kryer në Policinë e Shtetit.
  4. Me shtetasin Agim Rama, kam njohje dhe marrëdhënie korrekte shoqërore. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se mund të kemi mbi një vit që nuk jemi takuar dhe nuk kemi patur asnjë komunikim telefonik me të.
  5. Me Prokurorin Eugen Beçi, kam patur marrëdhënie pune për shkak të detyrave që kam kryer në Policinë e Shtetit. Edhe pas largimit tim nga Policia e Shtetit kemi ruajtur marrëdhënie shoqërore dhe jemi takuar në disa raste në vende të ndryshme publike përfshirë edhe lokalin VIVAS”, deklaron Kuliçaj.
  6. Ish-nëndrejtori i Policisë bën përgjegjëse për këtë situatë policinë gjyqësore në Policinë e Shtetit që sipas tij nuk ka kryer veprimet e domosdoshme hetimore

    “Sipas vlerësimit tim e gjithë kjo situate është mbarsur nga moskryerja e veprimeve të domosdoshme hetimore nga Shërbimet e Policisë Gjyqësore në Policinë e Shtetit, veprime këto të përcaktuara në nenin 30-të të Kodit të Procedurës Penale. Policia e Shtetit në përmbushje të detyrimeve të nenit 293 të Kodit të Procedurës Penale duhet të kishte referuar veprën penale të prokurori dhe njëkohësisht të kishte vazhduar kryerjen e hetimeve paraprake. Pretendimet që parashtroi zoti Tahiri, se edhe këto hetime janë kryer dhe i janë bashkuar fashikullit të hetimit për ngjarjen e ndodhur më datë 1 shtator të vitit 2014 ku është tentuar të vritet shtetasi Fatjon Skënderi, provojnë mosveprimin e Policisë së Shtetit në hetimin e kësaj çështje.

    Çdo pretendim për mosreferimin e çështjes te prokurori, sipas detyrimeve të parashikuara në nenin 293 të kodit të procedurës penale, janë të pa mbështetur në ligj dhe ne praktikën e punës së Policisë së Shtetit”, përfundon deklaratën e tij Kuliçaj.

  7. (m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: