TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar deklaratën e ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu, ku ky i fundit bëri thirrje që të gjendet konsensus për zgjidhjen e kryeprokurorit të ri të përkohshëm.

Në një bashkëbisedim me gazetarët Basha tha se nuk do që të komentojë deklaratat e ambasadorëve, por nuk nguroi të jepte një përgjigjet. Ai tha se nuk e imagjinon dot që një ambasador t’i bëjë thirrje Kuvendit që të shkelë Kushtetutën.

“Nuk kam komentuar dhe nuk komentoj asnjëherë ambasadorët e huaj. Personalisht nuk mund ta imagjinoj që dikush nga trupi diplomatik, kushdoqoftë, t’i kërkojë Kuvendit të shkelë Kushtetutën apo t’i kërkojë Kuvendit që të mos bëhet vettingu i Prokurorit të Përgjithshëm, sepse kjo do të ishte jo vetëm pa sens, por do të ishte një thikë në shpinë të reformës në drejtësi, për të cilën kanë kontribuar në veçanti, të gjithë përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar”, tha Basha.

Ambasadori Lu dha dje një mesazh të qartë, duke kërkuar kështu që palët politike, pozita dhe opozita të lënë mënjanë mosmarrëveshjet. Ai theksoi se duhet t’i jepet fund epokës kur kryeprokurori mbronte politikanët e korruptuar.

“I kemi bërë thirrje qeverisë dhe opozitës të punojnë së bashku për të gjetur një zëvendësues të përkohshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, të cilit i përfundoi mandati pesëvjeçar më 7 dhjetor. Të dyja palët duhet t’i japin fund epokës kur Prokurori i Përgjithshëm mbron politikanët e korruptuar.
Në emër të grave dhe të fëmijëve që vuajnë si pasojë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, shpresoj që politikanët do t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre të parëndësishme dhe do ta zbatojnë këtë reformë në drejtësi.”, tha Lu.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: