Nga Nebil Çika

Së pari, dua të sqaroj një keqkuptim me një shkrim të botuar dje në “G.SH” për një projektligj për dekomunistizimin që PD-ja në bashkëpunim po përgatit. Kur ne themi që: ”Është kriminal dhe i pa pranueshëm që Gramoz Ruçi është venë me emër dhe foto në Muzeun e Gjetheve për krimet e komunizmit si një nga autorët kryesor të tyre dhe zgjidhet kryetar parlamenti”, nuk kërkojmë qe ai të hiqet nga Muzeu, ku është vendosur me të drejtë si një nga autorët e krimeve të komunizmit, por nga kreu i parlamentit gjë që e kemi kërkuar publikisht me të gjitha mjetet demokratike.

Por, le të kthehemi te thelbi: Pse ne kërkojnë një ligj të plotë për t’i dhënë fund të paktën ligjërisht vazhdimësisë komuniste në Shqipëri. Pse tani 27 vjet pas rënies de jure të komunizmit?! – na pyesin, sidomos partnerë e gazetarë perëndimorë, pyetje që me të drejtë mund t’i lindë çdo njeriu që e njeh pak apo aspak realitetin shqiptar para dhe pas rënies zyrtare të komunizmit. Ne gjykojmë, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare se jemi ligjërisht korrekt për shkak se krimet e komunizmit, krime lufte, gjenocidi dhe krimet kundër njerëzimit nuk parashkruhen.

Në këto kushte, në çdo kohë si në 1992, tani apo edhe pas 100 vjetësh këto krime mund dhe duhet të ndëshkohen si detyrim ndaj drejtësisë. Në aspektin politik kërkesa jonë bëhet edhe më aktuale pasi të gjithë jemi dëshmitarë të një projekti nga ana e qeverisë që po kthen në krye të shtetit e qeverisë emra të njohur si autorë të krimeve të komunizmit që kulmon me zgjedhjen në postin nr. 2 të shtetit shqiptar, ish-ministrit të Brendshëm të qeverisë komuniste së fundit, de jure komuniste, drejtuesit të Sigurimit kriminal të Shtetit, Gramoz Ruci.

Sigurisht që nuk është vetëm ky rast pasi rikthimi në pushtet e kupolës gjenetike të diktaturës komuniste është një aksion politik i dukshëm vetëm duke parë emrat e mbiemrat e një pjese të mirë të qeverisë në të gjitha nivelet e saj. Por edhe në aspektin juridik, historik e human, në mos i ndëshkimit as sa e meritojnë, largimi nga postet publike të autorëve të krimeve të komunizmit është jo vetëm aktual, por një domosdoshmëri për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Mendoj se PD e ka një detyrim politik e elektoral, një premtim të pa përmbushur, një punë të pambaruar ligjin për dekomunistizimin e vendit. Ajo është partia që u krijua si antikomuniste një monopol që, shpesh herë pa e merituar, e gëzon edhe sot. Ajo ka në themelin e saj politik e elektoral antikomunistët dhe të përndjekurit politikë gjë që e detyron atë të jetë në krye të përpjekjeve të gjata e të mundimshme të shumës së shqiptarëve për t’u shkëputur nga e kaluara kriminale komuniste. Nuk është se PD nuk ka bërë asgjë për dekomunistizimin, pasi mund të kujtojmë këtu dënimin në vitin 1996 për gjenocid të 70 zyrtarëve të lartë të diktaturës komuniste midis tyre edhe diktatorin e fundit Ramiz Alia, të cilët u shpallën të pafajshëm sapo ish-komunistët u kthyen në pushtet me revolucionin e vitit 1997.

Por pas kësaj periudhe antikomunizmin PD e ka zbatuar në mënyre sporadike e ka përdoruar politikisht kur ka qenë në opozitë ndërkohë që në qeveri ka bërë pak apo aspak për të. Iniciativa që ka ndërmarrë z. Basha me projekt/ligjin për dekomunistizimin e kthen PD-në te puna e lënë përgjysmë jo vetëm në raport me krimet komuniste, por me krimin në përgjithësi. Një nga arritjet e mëdha të z. Basha është Ligji i Dekriminalizimit, miratimi i të cilit krijoi mundësinë e pastrimit të politikës dhe administratës shtetërore nga një pjesë e krimit, atij ordiner.

Mirëpo ky ligj nuk e pastrin dot politikën e shtetin nga krimi, pasi ai nuk parashikon krimet politike, por vetëm ato ordinere. Çuditërisht në asnjë nen të tij nuk parashikohet ndalimi autorëve të krimeve të tilla si, krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid që do të mund të largonte nga politika autorët e tyre. Ligji parashikon largimi nga parlamenti apo poste te tjera shtetërore, të zgjedhur apo të emëruar, një person që është dënuar për korrupsion apo se ka trokuar drogë dhe nuk largon apo ndalin një person që ka urdhëruar vrasjen torturimin e dënimin e mijëra kundërshtarëve politikë dhe familjarëve të të e dhjetëra të rinjve shqiptar në kufi pa asnjë bazë ligjore pa llogaritur këtu varfërinë izolimin dhe trajtimin si skllevër të shumës së popullit të Shqipërisë.

Te gjithë besoj biem dakord që këto të fundit janë vepra penale shumë më të rënda se trafiku i drogës, megjithëse edhe trafiku i drogës dhe armeve ishte një nga krimet e kryera nga qeveria komuniste. A mund të pretendojmë dot në këtë situatë që dekriminalizmi është i mundur vetëm me ligjin aktual?! Nuk besoj se ka njeri normal që mund ta pretendojë dot këtë. Prandaj kemi këmbëngulur dhe ngulmojmë që Shqipëria të ketë një ligj të tillë pasi, në fund të fundit, sido që t’ia vëmë emrin, dekomunistizimi është de fakto e de jure dekriminalizim.

*Kryetar i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb