Kryetari i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj, ka qenë i pari zyrtar i lartë i opozitës që reagoi lidhur me vendimin e Presidentit, Bujar Nishani për të dekretuar Fatmir Xhafajn në postin e ministrit të Brendshëm.
I ftuar në studion e “Ora News”, Alibeaj tha se kandidatura e Fatmir Xhafajt në postin e ministrit të Brendshëm ishte një provokim nga ana e kryeministrit në mes të krizës së madhe.
alibeaj ne opinion
“Ajo çfarë unë si konsideratë të parë, është fakti se Presidenti i Republikës përkundër të gjitha konsideratave të ardhura nga mazhoranca, tregoi karakter, dinjitet, tregoi ushtrimin e detyrës në mënyrë të pavarur, të çliruar nga çfarë do lloj ndërhyrje të vogla si hipoteza të ngritura nga mazhoranca. Jemi në krizë totale.
Unë besoj se një zgjidhje do të duhet gjetur. Nëse më pyesni për çështjen e propozimeve që kryeministri çoi kryesisht atë të ministrit të Brendshëm, z.Xhafaj unë besoj ishte një provokim në gjithë këtë vorbull të madhe krizash. Kur flet Presidenti, i pari dhe i fundit që shprehet me dekorimin e ministrave, pjesa tjetër pak rëndësi ka. Kandidatura e z.Xhafaj për mendimin tim nuk do të ishte aspak e propozuar nga kryeministri Rama.
Ai përfaqëson jo vetëm dhe thjesht një ëndërr dhe makth të shqiptarëve para 25 vjetëve, pra një përfaqësues të falangave të sigurimit të shtetit apo edhe të hetuesisë së asaj kohe që ishte thembra e ushtrimit të pushtetit diktatorial. Vetëm për këtë do të ishte e mjaftueshme për të mos provokuar më nervat e qytetarëve shqiptarë. Edhe për një çështje tjetër. Tek e fundit, propozimi që bën një kryeministër për një ministër mbart në vetvete edhe një lloj vlerësimi moral.
Media dhe jo vetëm media, ka thënë për shumë kohë që ministri i propozuar dhe tashmë i dekretuar, ka probleme të forta të afërmve të tij familjar, të lidhura me fenomenologjinë e krimit dhe të drogës. Janë sinjale që bëjnë atë provokim të madh të kryeministrit”, – deklaroi Alibeaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb