DURRËS- Ambasadori Britanik në Tiranë, Nicholas Canon flet hapur lidhur me personat e inkriminuar që janë pjesë e parlamentit shqiptarë duke deklaruar, se ai vetë nuk do dëshironte të përfaqësohej nga një gangster dhe kjo është mënyra si duhet ta shikojë këtë çështje çdo shqiptar me të drejtë vote.

“Unë nuk do të doja të përfaqësohesha nga një gangster, dhe njerëzit këtu duhet ta mendojnë në këtë mënyrë e të vendosin atë që duan. Unë nuk kam të drejtë vote, ju keni, ndaj duhet ta mendoni si do veproni”, deklaroi ai.

Në këtë kuadër Ambasadori Britanik kërkon që drafti për dekriminalizimin të mos jetë vetëm pjesë e debateve të politikës, por të shtrihet edhe më tej. Canon sugjeron që çështja e dekriminalizimit të diskutohet me shoqërinë civile dhe qytetarët.

“Mendoj se ky është një vendim mes shqiptarëve dhe parlamentit shqiptar, por ka një çështje thelbësore që publiku ka të drejtë të përfaqësohet nga niveli më i lartë.

Kush dëshiron të përfaqësohet nga njerëz që kanë pasur probleme me trafikun e qenieve njerëzore apo trafikun e drogës, është një problem që duhet zgjidhur, çështja është si duhet vepruar? Është për tu debatuar midis politikanëve, por edhe publikut, si mendon publiku, më pas vendoset mes palëve si duhet vepruar”, sugjeron ambasadori britanik.

Canon ishte këtë të hënë në Durrës ku mori pjesë në ceremoninë e hapjes së kursit të anglishtes në qendrën ndërinstitucionale operacionale detare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: