NGA MENTOR KIKIA*
Ligji për dekriminalizimin parashikon që personat që rezultojnë me rekorde kriminale duhet të dorëzojnë mandatet, ata
që janë zgjedhur dhe të shkarkohen(më e pakta) ata që janë të emëruar. Por në vend që të bënte drejtësi dhe të shërbente për pastrimin e politikës, ai u bë një argument më shumë në luftën e neveritshme politike. Çdo ditë nga selitë e partive dalin deputetë, zëdhënës dhe zyrtarë partiakë që lexojnë dukshëm me përtesë deklarata të mërzitshme kundër njëri-tjetrit, duke thënë se “X” deputet, apo kryetar bashkie, ka fshehur një emër e “Y” ka fshehur një arrestim. A thua problemi më i madh është pikërisht transparenca. Në fakt problemi është ajo që ata kanë bërë në të vërtetë, jo nëse e tregojnë(deklarojnë) apo jo atë që kanë bërë.

Unë nuk kam asnjë lloj shprese dhe asnjë pikë besimi se dekriminalizimi do të pastrojë politikën aktuale, apo do të pengojë të inkriminuarit ti afrohen asaj edhe në zgjedhjet e ardhshme. Sepse kam besuar që në fillim se, si shumë ligje të tjera, ai u ideua duke pasur parasysh kundërshtarin dhe jo veten apo mjedisin politik në tërësi. Dhe pastaj përfundoi si një obligim për të kënaqur monitoruesit e huaj, që na lëvduan sedrën duke na thënë se keni një ligj që nuk e ka askush. Në fakt s’kishte si ta kishte kush, sepse askund parlamenti nuk është mbushur me këtë soj që e kemi mbushur ne.

Unë nuk mendoj se ka ndonjë këtu që beson se do të hapet ndonjë hetim penal për ndonjërin prej atyre që kanë deklaruar, qoftë dhe të vërtetën, për çfarë kanë bërë në kohën kur, në vend që të ishin në universitet shisnin drogë apo punonin si tutorë prostitutash. Por nuk besoj se as në të ardhmen nuk do ti pengojë kriminelët të futen apo ushtrojnë ndikimin e tyre në politikë, e për pasojë në ligjbërje e vendimmarrje. Sepse, në mos lejoftë ligji të kandidojë një person që ka të shkuarën si trafikant, lejon vëllain apo nipin e tij që të bëhet deputet a drejtor, me paratë e tij.

Unë vazhdoj të këmbëngul me forcë se dekriminalizimi nuk nis nga njeriu, pra individi, por nga paratë që ushqejnë tërë makinerinë e politikës. Sepse edhe këta të inkriminuar që u ftuan apo u pranuan të bëhen pjesë e politikës, u bënë pikërisht sepse zotërojnë para, të cilat duke qenë se nuk i kanë vënë me djersë dhe duke qenë se u duhet një mburojë, nuk e kanë problem ti shpenzojnë për të ushqyer ‘serbatorin’ e partive.

Sepse, në shumë raste, fati i fitores se kandidatit apo partisë varet nga sasia e parave që hidhen për të përballuar banerat, koncertet, autobusët që transportojnë mitingashë me pagesë dhe në fund, por që është e para, blerjen e votës, pra derisa të funksionojë ky mekanizëm nuk ka për të pasur kurrë dekriminalizimin real të politikës. Pikërisht për këtë arsye, gjëja për të cilën kanë rënë me kohë dakord palët, pa i ndërmjetësuar asnjë ambasador dhe asnjë institucion, brenda dhe jashtë vendit, është që të mos ketë një ligj real për financimin e partive.

Sot fushatat janë bërë një lubi e vërtetë, pasi gara e ideve është zëvendësuar nga gara e spektakleve dhe bursa e blerjes së votës. Ndaj dhe partitë i hapën listat për biznesmenë, tregtarë, trafikantë e horra, duke lënë jashtë gjithnjë e më shumë intelektualët. Por askush deri më sot nuk ka verifikuar në asnjë rast se nga vijnë këto para. Auditi i KQZ-së kontrollon vetëm faturat që dorëzojnë partitë dhe nuk monitoron atë që partitë shpenzojnë realisht. Për këtë arsye dekriminalizimi me duket një spektakël qesharak.

Madje kjo me kujton një rrëfenjë sportive, ndodhur(me gjasë) në takimin Skënderbeu – Flamurtari. Tifozët vlonjatë, nisin të shanin(ashtu siç dinë ata) me motra, gra e komshije. Ndërsa korçarët ju kthyen: T’ju vijë rëndë, t’ju vijë rëndë…

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: