TIRANE– Partia Demokratike ka prezantuar sot draftin për dekriminalizimin. Gjatë një konference për mediat, deputeti Oerd Bylykbashi ka prezantuar të gjitha pikat që përmban ky draft, duke bërë edhe shpjegimet përkatëse. Njëkohësisht me prezantimin e pikave të parashikuara nga PD, Bylykbashi ka bërë krahasime me draftin e paraqitur nga mazhoranca duke u shprehur se ky i fundit ka mangësi.

Deputeti u ndal tek prezantimi i 5 pikave që sipas tyre janë të ndryshme nga ato që ka paraqitur mazhoranca.

Kryetari i komisionit per dekriminalizimin, deputeti i PD-se, Oerd Bylykbashi, gjatë prezantimit të draftit per dekriminalizimin tha se “Objekt i këtij ligji është mbrojtja e integritetit dhe mirëfunksionimi demokratik i institucioneve kushtetuese. Qëllimi nuk është të merremi me individe dhe t’i penalizojmë, pasi ata janë të penalizuar nga drejtësi, por këta persona nuk mund të ushtrojnë influencë në vendimmarrjen institucioneve kushtetuese”.

“Dallimi që ka projekt-ligji ynë me atë që ka propozuar qeveria është se ai i qëndron larg dekriminalizimit, term që ka fituar qytetari jo vetëm në opinionin shqiptar, por dhe te institucionet ndërkombetare në lidhje me Shqipërinë”, tha Bylykbashi, i cili u ndal te veprat më të rënda e denimet më të mëdha, që startojnë në krye të draftit me dy nene më të ashpra (neni 2 dhe 3).

Ai sqaroi permbajtjen e ketyre neneve, lidhur me ata persona qe kandidojnë për t’u zgjedhur, duke theksuar se atyre u jane vene kushte sipas veprave penale për të cilat ka vendim përfundimtar të gjykatës, apo ka çeshtje të hapura në drejtësinë e vendeve të huaja. Sipas tij, sipas kategorive të përcaktuara ne ligj, njerëzit që kanë kryer vepra te renda penale pengohen për t’u zgjedhur apo emruar në funksione publike. “Të gjithë personat që kanë kryer krime të rënda të kenë një ndalim përjetë, si per gjenocid, krimet kundër njerëzimi, vrasje për gjakmarrje, vrasja e punonjësve publike, e punonjësve të policisë, vrasje për shkak të marredhënieve familjare, apo pjesemarrja ne organizata kriminale, apo të strukturuara me qëllime terroriste”, theksoi ai.

Bylykbashi u ndal edhe tek veprat penale si, korrupsioni apo krimet zgjedhore dhe për ketë ndalesa me ligj është për 20 vjet që të mos jenë pjesë e shërbimeve publike dhe të kandidojnë deri kur të parashkruhen vepra penale. Po ashtu, ai theksoi se drafti parashikon përjashtimin nga e drejta e votës te personave të dënuar per krime të rënda, qe kriminele të rrezikshëm të mos kenë akses në jeten politike e shoqërorë.

Bylykbashi theksoi me tej se drafti nuk është me karakter penal, por në mbrojtje të institucioneve të shtetit dhe miratohet me 3/5 e deputeteve. Është nje projekt-ligj i detajuar, qe nuk lë vend për ekuivoke dhe për rrjedhojë, është shqiptarizëm i përshtatur”, tha ai.

Pyetjes së gazetareve se perse ndahen në pesë pika me projekt-ligjin e qeverisë, Bylykbashi iu përgjigj se “ne këto nisma i kemi për t’i ballafaquar dhe nuk ka rrugë tjetër përvec komisionit për dekriminalizim dhe çdo tentativë për t’ia marrë komisionit këtë kompetencë është në kundërshtim me jeten parlamentare dhe kjo çon në shmangien nga qëllimi i ligjit. Ato pika që ne na ndajnë me qeverine kane të bëjnë me qëllimin që ka mazhoranca, qe ka hequr çdo element që do të kapte kriminelët”.

JA DRAFTI I PD PER DEKRIMINALIZIMIN

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI

PROJEKTLIGJ
Nr. ______/2015

PËR DEKRIMINALIZIMIN E INSTITUCIONEVE PUBLIKE, NËPËRMJET NDALIMIT TË USHTRIMIT, ZGJEDHJES APO EMËRIMIT NË FUNKSIONE PUBLIKE TË PERSONAVE ME REKORDE KRIMINALE

Në mbështetje të neneve 17, 81, pika 1 dhe 2 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Neni 1
Qëllimi dhe objekti

1. Qëllimi i këtij ligji është dekriminalizimi i organeve të zgjedhura, institucioneve të pavarura dhe administratës publike, si dhe mbrojtja në të ardhmen i funksionimit demokratik e ligjor të tyre, nëpërmjet largimit nga funksionit publik, apo pengimit të zgjedhjes ose emrimit në to, të personave me rekorde kriminale dhe/ose përdoruesve të substancave narkotike.
2. Ky ligj ka për objekt mbrojtjen e integritetit dhe mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, forcave të armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare, dhe çdo insitucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje, i personave të cilët kanë kryer apo kanë tentuar të kryejnë vepra penale dhe/ose janë përdorues të substancave narkotike, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Neni 2
Kushtet për kandidim dhe për t’u zgjedhur në funksione publike

1. Nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:
a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal;
b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.
c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim.
ç) për kryerjen me dashje të një krimi që nuk përfshihet në shkronjat”a”dhe “b” të kësaj pike, dhe kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
2. Nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtprdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat që plotësojnë kushtet e parashikuara gërmat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni.
3. Ndalimi i parashikuar nga pika 1 e këtij neni zbatohet edhe ndaj personave:
a) për të cilët është marrë masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij nenit, derisa nuk ka një vendim pafajësie në favor të tij.
b) që janë dëbuar nga territori i një vendi të huaj në lidhje me një prej veprave penale të parashikuara në pikën 1, gërma “a” të këtij neni.
4. Ndalimet e parashikuara në këtë nen zbatohen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre.
5. Kohëzgjatja e ndalimeve të parashikuar nga ky nen përcaktohen, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

Neni 3
Kushtet për t’u emëruar në funksione publike

1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet edhe në funksionet publike si më poshtë:
a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj;
b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të;
c) në postin e prefektit;
ç) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj:
d) në Shërbimin Informativ Shtetëror;
dh) në shërbimin civil;
e) në çdo nivel drejtimi të policisë së shtetit;
ë) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe
f) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.
2. Kohëzgjatja e ndalimit të parashikuar nga ky nen përcaktohet, sipas rastit, në nenin 4 të këtij ligji.

Neni 4
Periudha e ndalimit të kandidimit, zgjedhjes apo ushtrimit të një funksioni të zgjedhur ose të emëruar

1. Për personat që parashikohen në shkronjën”a” të pikës 1, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit, zgjat gjatë gjithë jetës.
2. Për personat që parashikohen nga shkronja “b” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 20 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
3. Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
4. Për personat që parashikohen nga shkronja”ç” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
5. Për personat që parashikohen në pikën 2 të nenit 2, periudha e ndalimit është sa afati i rehabilitimit të dënimit përkatës por jo më pak se 5 vjet.
6. Për personat që parashikohen në pikën 3 të nenit 2 të këtij ligji, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat 35 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.
7. Zbatimi i afateve të këtij neni llogaritet në përputhje me llojin e veprës për të cilën është dënuar personi subjekt i këtij ligji ose në varësi të afatit fillestar të dënimit të dhënë me vendimin fillestar që ka marrë formë të prerë. Amnistia, falja, ose lirimi i parakohshëm me kusht nuk ndikojnë në zbatimin e këtij ligji dhe nuk përllogariten në funksion të shkurtimit të afatit të dënimit me qëllim shkurtimin e periudhes së ndalimieve të parashikuara nga ky ligj.

Neni 5
Vetëdeklarimi i rekordeve penale dhe verifikimi i të dhënave

1. Personat e parashikuar nga neni 2 dhe 3 i këtij ligji duhet të plotësojë e të nënshkruajnë një formular vetëdeklarimi me anë të të cilit deklarojnë pasjen ose mospasjen e një apo më shumë prej rrethanave te parashikuara në po atë nen.
2. Në rast refuzimi për të dorëzuar formularin e vetdeklarimit personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në një funksion publik.
3. Mosparaqitja e formularit të vetëdeklarimit përbën shkak për mosregjistrimin e kandidatit në zgjedhje nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, apo për mosemërimin nga organi përgjegjës sipas ligjit. Modeli i formularit të vetëdeklarimit miratohet me vendim të Kuvendit.
4. Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Mosdeklarimi, deklarimi i rrethanave të rreme, të shtrembëruara apo të pavërteta në përputhje me këtë nen përbën vepër penale sipas nenit 190 të Kodit Penal.
5. Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:
a) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo në organet e qeverisjes vendore;
b) pranë Kryetarit të Kuvendit për kndidatët për funksione në organet kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe që zgjidhen nga Kuvendi;
c) pranë prefektit të qarkut përkatës për personat që emërohen në funksione publike me votim nga këshilli bashkiak nën juridiksionin e prefektit apo nga këshilli i qarkut përkatës;
ç) pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk paraqitur vetëdeklarim sipas gërmës “a” të kësaj pike;
d) pranë titullarit apo organit që bën emërimin për funksionarin publik që emërohet sipas gërmës “a”, pika 1, të nenit 3 dhe kur ky emërim është i ndryshëm nga funksionet e zgjedhura me votim nga Kuvendi si dhe kur emërimi bëhet sipas gërmave “ç” dhe “f”;
dh) pranë Kryeministrit për rastet e parashikuara nga gërmat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të nenit 3;
e) pranë drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror apo drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, sipas rastit, për gërmat “d” dhe “e” të pikës 1 të nenit 3 të këtij ligji.
ë) Pranë Departamentit të Administratës Publike për rastet e parashikuara nga gërma “dh” e pikës 1 të nenit 3;
f) pranë Ministrit të Mbrojtjes për rastet e parashikuara në gërmën “ë” të pikës 1 të nenit 3.
6. Këto vetëdeklarime dhe të dhënat e përfshira në to mund të bëhen publike në çdo kohë dhe pa asnjë kufizim para dhe pas datës së zgjedhjeve të përgjithshme apo vendore, votimeve në Kuvend, apo emërimit, me kërkesë të subjekteve të interesuara.
7. Kërkesa për marrjen e formularit të vetëdeklarimit dhe/ose të dhënave të përfshirë në të nuk mund të refuzohet apo kufizohet në asnjë rast. Refuzimi apo kufizimi i dhënies së tyre përbën vepër penale sipas nenit 248 të Kodit Penal.

Neni 6
Organi kompetent për miratimin e procedurave dhe afateve për administrimin e vetëdeklarimeve

1. Rregullat e detajuara dhe afatet për plotësimin, dorëzimin, administrimin dhe publikimin e vetëdeklarimeve si dhe për marrjen e masave për zbatimin e ndalimeve të prashikuara nga ky ligj miratohen me vendim të Kuvendit.
2. Rregullat dhe afatet e miratuara sipas pikës 1 të këtij neni duhet të mundësojnë që vetëdeklarimet të bëhen, sipas rastit, në kohë të mjaftueshme përpara kandidimit, votimit ose emërimit në funksionin publik, me qëllim administrimin e rregullt, transparencën dhe publikimin në kohë kur kjo kërkohet, si dhe verifikimin e të dhënave në çdo rast që e parashikon ky ligj dhe nxjerrjen e përfundimeve të verifikimit dhe zbatimin e ndalimeve që parashikon ky ligj.

Neni 7
E drejta e nismës për verifikimi i të dhënave

1. Verifikimi i të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit të parashikuar në nenin 5, kryhet sa herë kjo kërkohet nga:
a) 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Prokurori i Përgjithshëm apo një prokuror tjetër ose dy anëtarë të KQZ-së për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar të Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut si dhe për anëtarin apo drejtuesin e një organi kushtetues apo të krijuar me ligj dhe që zgjidhet me votim nga Kuvendi i Shqipërisë;
b) Kryeministri, çdo deputet, Prokurori i Përgjithshëm ose një prokuror tjetër për ministrin, zëvendësministrin apo funksione të njëvlershme me të, prefektin dhe çdo drejtues institucioni në varësi të Kryeministrit ose një ministri si dhe për drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror;
c) Ministri i linjës, çdo deputet ose një prokuror për drejtusit dhe pjestarët e shërbimit civil të çdo niveli në adminitratën publike në nivel qëndror ose vendor, Policinë e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.
2. Kërkesa sipas kësaj pike mund të bëhet pranë organit kompetent për verifikimin sipas këtij ligji edhe nga jo më pak se 500 shtetas me të drejtë vote.
3. Kërkesa për verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike. Mungesa e tyre, në çdo rast nuk pengon fillimin e verifikimit sipas këtij ligji.
4. Çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100.000 lekë kur pas kryerjes së verifikimit, kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta.

Neni 8
Organi kompetent për verifikim dhe zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin në funksione publike

1. Drejtuesi i institucionit që sipas nenit 5 është i ngarkuar për marrjen e kërkesës për verifikim, është i detyruar që t’i kërkojë brenda 5 ditëve organit kompetent verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji. Pranë Prokurorisë së Përgjithshme ngrihet dhe funksion një strukturë e posacme për të realizuar procesin e verifikimit dhe për të koordinuar informacionin me institucionet e tjera relevante. Kjo strukturë konsiderohet në kuptim të këtij ligji si organi i ngarkuar me verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të përfshira në vetëdeklarim si dhe çdo të dhëne, fakti apo rrethane tjetër të padeklarura dhe që përbën bazë për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj.
2. Përfundimet e procesit të verifikimit i përcillen organit përgjegjës brenda 3 ditëve nga përfundimi i tyre, sëbashku me kërkesën për aplikimin ose jo të masës së ndalimit sipas këtij ligji. Rezultatet e verifikimit dhe të dhënat e grumbulluara ruhen në një sistem elektronik që administrohet nga Prokuroria e Përgjithshme.
3. Organi kompetent kërkon verifikimin mbi bazën e kërkesës ose kryesisht, kur disponon të dhëna, apo fakte përfshirë fakte të njohura botërisht, që përbëjnë shkak për zbatimin e këtij ligji.
4. Organi kompetent për kryrjen e verifikimeve përdor çdo të dhënë apo dokumentacion në dispozicion të tij ose i kërkon ato pranë cdo organi apo entitetet të tjera shetërore, brenda apo jashtë vendit.
5. Në çdo rast verifikimi, është e detyrueshme të përdoren gjurmët daktiloskopike dhe çdo e dhënë tjetër biometrike që ruhet në bazën e të dhënave të identifikimit të shtetasve shqiptarë. Kur nuk disponohen gjurmët daktiloskopie dhe të dhënat e tjera biometrike të shtetasit për të cilin kryhen verifikimet, organi verifikues i kërkon shtetasit që brenda 5 ditësh të depozitojë këto të dhëna në Policinë e Shtetit sipas procedurave për prodhimin e dokumentave të identifikimit të shtetasve. Në rast refuzimi personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim.
6. Organi ose enti shtetëror apo privat që mban gjurmët daktiloskopike dhe të dhënat biometrike sipas ligjit për dokumentat e identitetit të shtetasve shqiptarë, në asnjë rast nuk mund të refuzojë aksesin tek baza përkatëse e të dhënave dhe/ose dhënien e të dhënave të nevojshme për verifikim sipas këtij ligji. Trajtimi i të dhënave kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
7. Kur ka informacion dhe është e nevojshme, verifikimi kryhet edhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kërkesa për verifikim pranë organeve të juridiksioneve të huaja bëhet nga Prokurori i Përgjithshëm.
8. Kur verifikimi kryhet për një deputet, të zgjedhur vendor apo një funksionar që ka një mandat me kohë të përcaktuar sipas Kushtetutës apo ligjit, e drejta për të nisur verifikimin e të dhënave sipas këtij ligji, si rregull, përfundon me fundin e mandatit të personit të zgjedhur. Kur verifikimi ka nisur para përfundimit të mandatit, procedura e verifikimit kryhet deri në arritjen e konkluzioneve përkatëse.
9. Kur organet kompetente e përfundojnë verifikimin pas përfundimit të mandatit ose kur vihen në dijeni të rrethanave apo fakteve që provojnë ekzistencën e të dhënave të padeklaruara sipas parashikimeve të këtij ligji, edhe pas përfundimit të mandatit, ato administrojnë përfundimet e hetimit dhe bëjnë kallëzim penal në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.

Neni 9
Detyrimi për bashkëpunim

Çdo organ shtetëror ka detyrimin që të bashkëpunojë me organet e ngarkuara nga ky ligj, për verifikimin e të dhënave, fakteve dhe rrethanave të deklaruara prej shtetasve sipas këtij ligji. Mosbashkëpunimi apo refuzimi për të bashkëpunuar, pengesa, vonesa apo keqdrejtimi në procesin e verifikimit përbën vepër penale në përputhje me nenet 248 të Kodit Penal.

Neni 10
Veprimet e KQZ kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje

Kur verifikohen kushtet per moskandidim dhe moszgjedhje në përputhje me këtë ligj, KQZ kryen veprimet e mëposhtme:
a) refuzon kandidaturën e personit, kur kushtet verifikohen para procesit të pranimit të kandidaturave, dhe i kërkon subjektit zgjedhor të interesuar të zëvendësojë kandidaturën brenda afatit të parashikuar për dorëzimin e kandidaturave;
b) heq kandidatin nga kandidimi kur kushtet verifikohen para shtypjes së fletëve të votimit pa të drejtë zëvendësimi për rastin e kandidatëve për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore apo për kandidatët e propozuar nga zgjedhësit për këshillin e njësisë së qeverisjes vendore;
c) kur kushtet e moskandidimit verifikohen pas shtypjes së fletëve të votimit dhe para shpalljes së rezultateve:
i) shpall pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonën zgjedhore përkatëse kur verifikohen
kushtet për moskandidim dhe moszgjedhje të personit që ka të drejtën e mandatit të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore mbi bazën e votave të marra.
ii) shpall rezultatin për kryetar të njësisë së qeverisjes vendore kur verifikohen kushtet
për moskandidim dhe moszgjedhje sipas këtij neni për një kandidat që nuk është fitues, dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
iii) përjashton nga përllogaritja e mandateve kandidatin e propozuar nga zgjedhësit për
këshilltar në këshillin e njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe përllogarit mandatet duke përjashtuar votat e marra prej tij;
iv) shpall fitues nga lista shumëemërore kandidatin vijues në renditje dhe në përputhje me
kuotën gjinore, si dhe shpall faktin e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë për kandidatin përkatës;
ç) shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve në përputhje me këtë Kod dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin në përputhje më këtë Kod;
d) shpall pavlefshmërinë e mandatit dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi përkatës, si dhe shpall mandatin në përputhje me këtë Kod, si dhe njofton Kryetarin e Kuvendit në rastin e pavlefshmërisë së mandatit të deputetit, apo Kryeministrin në rastin e kryetarit të bashkisë apo të këhilltarit bashkiak.
2. Kur deputeti mban në të njëjtën kohë postin e antarit të Këshillit të Ministrave, Kryeministri i propozon Presidentit, brenda 48 orësh shkarkimin e ministrit.
3. Në rast se kushtet e pavlefshmërisë së mandatit verifikohen për Kryeministrin, ai i paraqet Kuvendit mocion besimi brenda 48 orësh, në përputhje me nenin 104 të Kushtetutës dhe Kuvendi miraton shkarkimin e tij nga detyra.
4. Në rast se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk ka mandat deputeti, konstatimi i kushteve për moszgjedhshmëri dhe ushtrim të funksionit publik sipas nenit 2 të këtij ligji, zbatohen sipas rastit, pika 2 ose 3 e këtij neni.
5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, cështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutes, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.

Neni 11
Verifikimi i kushteve për moskandidim dhe mozgjedhshmëri në rastin e krijimit të vakancave në Kuvend ose në këshillin bashkiak

1. Vetëdeklarimi dhe verifikimi i rekordeve kriminale në përputhje me këtë ligj kryhet edhe për çdo kandidat të listave shumëemërore apo kandidat të propozuar nga zgjedhësit për zgjedhjet pararendëse për Kuvendin apo këshillin bashkiak përkatës, kur për shkak vakance në Kuvend apo në këshillin bashkiak, kandidatit i takon të marrë mandatin për vendin vakant sipas Kodit Zgjedhor.
2. Për kandidatët e listave shumëemërore për të cilët kryhet verifikimi sipas pikës 1 të këtij neni, kur verifikohen kushtet e mozgjedhshmërisë sipas këtij ligji, KQZ shpall faktin e moszgjedhshmërisë së personit përkatës dhe procedon me kandidatin vijues në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Neni 12
Veprimet në lidhje me zgjedhësit

1. Kur një shtetas dënohet me vendim përfundimtar të formës së prerë për një nga veprat e parashikuara nga gërmat “a” dhe “b” të nenit 2 të këtij ligji, gjykata e rrethit gjyqësor që ka marrë vendimin i dërgon një kopje të vendimit Drejtorisë së Përgjithëshme të Gjendjes Civile e cila merr masa për ngrirjen e rekordit zgjedhor të shtetasit deri në përfundim të afatit të përcaktuar në nenin 4 si dhe merr masa për njoftimin e shtetasit.
2. Gjatë kësaj periudhe, rekordi zgjedhor i shtetasit përkatës nuk përfshihet në listën e zgjedhësve.

Neni 13
Verifikimi i kushteve për mosushtrim të funksionit publik të emëruar

1. Në rast të konstatimit të kushteve për zbatimin e ndalimeve të parashikuara nga ky ligj për kategoritë e tjera, përjashtuar Presidentin e Republikës, deputetët, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarët e bashkive dhe këshilltarët bashkiakë, organi kompetent sipas këtij ligji për verifikimin, shpall publikisht rezultatin e verifikimit. Në këtë rast, mandati apo funksioni përfundon menjëherë për shkak të ligjit.
2. Në rastin e organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, organi kompetent për verifikimin merr masa për publikimin e rezultatit të verifikimit dhe përfundimin e mandatit apo detyrës në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.
3. Në rastet e ndryshme nga ato të parashikuara nga pika 2 e këtij neni, organi kompetent merr masa për njoftimin e personit të cilit i përfundon detyra dhe ndjek procedurat për zbatimin e masave të përcaktuara nga ky ligj.

Neni 14
Pezullimi i ushtrimit të funksioit publik dhe përfundimi i ushtrimit të funksionit publik

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj të gjitha kategorive të zyrtarëve të cilët në momentin e hyrjes në fuqi, mbajnë një mandat apo një detyrë publike sipas përcaktimeve të këtij ligji nëse faktet apo rrethant që përbëjnë kush për zbatimin e këtij ligji kanë ndodhur përpara marrjes së funksionit publik. Periudha e ndalimit është:
a) Për personat që parashikohen në shkronjën”a” dhe “b” të pikës 1 të nenit 2, 20 vjet nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.
b) Për personat që parashikohen nga shkronja “c” e pikës 1 të nenit 2, 10 vjet nga momenti i kryerjes së dënimit me burg.
c) Për personat që parashikohen nga shkronja”ç” e pikës 1 të nenit 2, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal.
d) Për personat e parashikuar nga pika 3 e nenit 2, deri në momentin kur përfundon efektet kushti i parashikuar nga ajo dispozitë.
2. Fillimi i procedurës së verifikimit passjell menjëherë pezullimin e ushtrimit të detyrës nga personi për të cilin kryhet verifikimi. Gjatë periudhës së pezullimit, personit i njihet 70 përqind e pagës si dhe periudha e verifikimit njihet si vjetërsi pune.
3. Gjatë periudhës së verifikimit, në rastin e organeve kolegjiale, personi nuk llogaritet për efekt kuorumi për vlefshmërine e mbledhjes, vendimmarrjes apo formimin e çdo lloj shumice të nevojshme për vendimmarrje.
4. Periudha e pezullimit është 12 muaj nga momenti i fillimit të verifikimit. Në rastin e deputetëve dhe drejtuesve apo anëtarëve të institucioneve kushtetuese, pezullimi është 6 muaj. Përjashtim nga kjo dispozitë bëjnë anëtarët e Këshillit të Ministrave.
5. Pezullimi i pushon efektet e tij në fund të periudhës së përcaktuar nga kjo pikë apo kur shpallen rezultatet e verifikimit sipas këtij ligji. Në rast se për personin përkatës është e nevojshme kryerja e verifikimeve jashte Republikës së Shqipërisë dhe ky verifikim nuk është përfunduar deri në fun të afatit fillestar të pezullimit, pezullimi zgjatet automatikisht me 6 muaj të tjerë për të gjitha kategoritë e subjekteve të këtij ligji.
6. Organi epror, kur është e mundur, merr masa për zëvendësimin e përkohshëm të funksionarit të pezulluar.

Neni 15
Përdorimi i substancave narkotike

1. Përdorimi i substancave narkotike përbën kusht pengues për të mbajtur, për t’u zgjedhur apo për t’u emëruar në një nga funksionet publike të përaktuara në nenin 2 dhe 3 të këtij ligji.
2. Në fillim të çdo legjislature, përpara bërjes së betimit, çdo deputet është i detyruar të paraqisë pranë Kuvendit, një formular që përmban rezultatet laboratorike për përdorimin e substancave narkotike. Në rast plotësohen kushtet për ndalimin sipas këtij neni apo në rast refuzimi për t’iu nënshtruar testit, komisioni për verifikimin e vlefshmërisë së mandateve që ngrihet në fillim të sesionit, propozon mosdhënien nga Kuvendi të mandatit. Kuvendi merr vendim për refuzimin e mandatit.
3. Në rastin e funksioneve të tjera të parashikuara nga Kushtetuta, formulari me rezultatet e testit sipas këtij neni paraqitet përpara emërimit apo zgjedhjes nga organi përkatës. Në rast plotësohen kushtet për ndalimin sipas këtij neni apo në rast refuzimi për t’iu nënshtruar testit, organi i emërtesës refuzon kandidaturën kur verifikohen kushtet për zbatimin e ndalimit të parashikuar nga ky nen.
4. Analizat kryhen nën administrimin dhe mbikëqyrjen e strukturës së posacme pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Rregullat e detajtuara për kryerjen e analizave dhe forma e paraqitjes së tyre përcaktohet me udhëzim të Prokurorit të Përgjithshëm. Paraqitja e të dhënave të rreme apo të fallsifikuara përbën vepër penale në përputhje me nenin 190 të Kodit Penal.
5. Në rast refuzimi personi trajtohet sikur të ketë rezultuar përdorues i substancave narkotike.

Neni 16
Trajtimi i funksionarëve publik aktual

1. Funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji sipas neneve 2, 3 dhe 15, që janë aktualisht në detyrë, i nështrohen procesit të verifikimit për herë të parë të pastërtisë së figurës apo përdorimit të substancave narkotike, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
2. Funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji sipas neneve 2, 3 dhe 15, që janë aktualisht në detyrë, përmbushin detyrimet që rrjedhin nga ky ligj për herë të parë, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e tij.
3. Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me pastërtinë e figurës apo përdorimin e substancave narkotike, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e parashikuara në paragrafin 4 të këtij neni.
4. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.
5. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, cështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutes, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.

Neni 17
Dispozita të fundit

Ky ligj nuk ndikon në ndjekjen penale, gjykimin, dënimin dhe gjendjen gjyqësore të shtetasve. Kufizimet e vendosura nga ky ligj bëhen në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës për një interes publik dhe nuk shuajnë thelbin e të drejtave dhe nuk përbëjnë dënim penal apo administrativ.
Dispozitat e këtij ligji janë të barazvlerëshme me dispozitat e Kodit Zgjedhor, ligjit për nëpunësin civil dhe ligjet që rregullojnë organizimin dhe funksionimin e organeve që përfshihen nga veprimi i këtij ligji. Në rast konflikti midis normave, dispozitat e këtij ligji kanë përparësi.
Aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji miratohen nga organet kompetente jo më vonë se 2 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 18
Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më _____/_____/2015

KRYETARI
ILIR META

RELACION
MBI PROJEKTLIGJIN

PËR DEKRIMINALIZIMIN E INSTITUCIONEVE PUBLIKE, NËPËRMJET NDALIMIT TË USHTRIMIT, ZGJEDHJES APO EMËRIMIT NË FUNKSIONE PUBLIKE TË PERSONAVE ME REKORDE KRIMINALE

Kapja e pushtetit publik nga krimi nepermjet perfshirjes se individeve me rekorde te renda kriminale nga partite politike ne kandidaturat dhe zgjedhjen e tyre ne Kuvend apo pushtetin vendor si dhe nepermjet emerimit ne funksione te larta apo funksione kyçe të administrates publike dhe organeve ligjzbatuese, perben nje kercenim te rende per integritetin dhe funksionimin e demokracise dhe institucioneve demokratike.

Partia Demokratike prej më shumë se 2 vjet ka ngritur shqetësimin për kriminalizimin e institucioneve shtetërore, emërimin në pozicionet kyce publike të personave me të shkuar kriminale, apo përfshirjen në listat për deputet dhe organet e qeverisjes vendore të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Edhe pse mazhoranca parlamentare injorojë këtë shqetësim të drejtë të opozitës, menjëherë fenomeni i kriminalizimit të funksioneve publike, nëpërmjet zgjedhjes apo emërimit të personave me rekorde kriminale, u shndërruar në një shqetësim të madh publik.

Opinioni publik dhe faktori ndërkombëtar kanë nxitur ligjvënësin që të ndërmarrë hapa konkret për frenimin e këtij fenomeni, duke mbështetur tezën e Partisë Demokratike se ky fenomen është shkatërrues për demokracinë funksionale në vend. Për këtë qëllim, Kuvendi ka miratuar më 24 Dhjetor 2014 një Rezolutë, ku angazhohet që t’i jap zgjidhje këtij shqetësimi. Që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje në Dhjetor 2014 e deri më sot, asgjë nuk është bërë në drejtim të dekriminalizimit të institucioneve publike.

Zgjedhjet e 21 Qershorit 2015 ishin një shans i humbur për Shqipërinë në këtë drejtim, duke qenë se në listat e kandidatëve për Kryetar Bashkie apo Këshill Bashkiak, mazhoranca përsëri u përfaqësua me individë të mirënjohur për të shkuarën e tyre kriminale. Rast tipik ishte kandidimi në Bashkinë e Kavajës dhe Krujës të individëve të përfshirë në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Edhe pse nga ana jonë u propozua miratimi i një ligji të posacëm me natyrë emergjente që ndalonte kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 Qershorit, përsëri mazhoranca parlamentare nuk pranojë të hidhte asnjë hap në drejtim të dekriminalizimit të institucioneve publike.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se kjo gjendje duhet të marrë fund në mënyrë imediate. Individët me rekorde kriminale nuk mund të vazhdojnë të jenë për asnjë sekond më shumë në krye të institucioneve publike. Ajo që ka ndodhur me Kuvendin e Shqipërisë, ku të dhënat flasin për prezencë të madhe në numër të individëve me rekorde kriminale, është e papranueshme për cdo vend që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Raporti i DASH i vitit 2015 për Trafikimin e Qenieve Njerezore shprehet se “Nje anetar i Parlamentit ka qene me pare i denuar per krime te lidhura me trafikimin”. Ambasada e SHBA “vlereson si të turpshme qe ka një anetar të parlamentit shqiptar me denime per trafikimin e njerezve. Shqiptarët kanë të drejte te kene perfaqeues te zgjedhur me dinjitet dhe standarte te larta etike, jo kriminele.”

Fenomeni duhet synuar të eleminohet përfundimisht për të ardhmen, nëpërmjet një ligji të posacëm që përcakton kriteret dhe rrethanat që ndihmojnë dekriminalizimin e institucioneve publike. Për këtë arsye, në përputhje me nenin 81 të Kushtetutës dhe nenit 68 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, propozojmë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për dekriminalizimin e institucioneve publike, nëpërmjet ndalimit të ushtrimit, zgjedhjes apo emërimit në funksione publike të personave me rekorde kriminale”.

Qellim i projektligjit eshte dekriminalizimi i organeve te zgjedhura, institucioneve te pavarura si dhe i administrates publike, si dhe mbrojtja ne te ardhmen i funksionimit demokratik dhe ligjor te ketyre organeve dhe ne pergjithesi, i sistemit demokratik, ne perputhje me standardet nderkombetare apo praktikat e vendosura nga shtetet e Keshillit te Europes apo shtete te tjera demokratike, nepermjet largimit nga keto organe apo pengimi i zgjedhjes apo emerimit i personave me rekorde kriminale.

Ky qellim do te permbushet duke parandaluar zgjedhjen apo emerimin ne kushtet e ekzistences objektive të shkaqeve qe cenojne figuren e zyrtarit apo besimin e publikut ne funksionimin e organit ku zyrtari eshte zgjedhur apo emeruar, dhe sipas rastit, pezullimin nga ushtrimi i detyres apo largimin nga funksioni.

Zgjedhja apo emerimi ne nje funksion publik, perkrah rasteve kur perben nje te drejte themelore, perben ne te njejten kohe nje interes te larte publik per funksionimin e shoqerise demokratike, mireqeverisjen dhe ruajtjen e integritetit dhe transparences ne funksionimin e organeve te larta vendimmarrese. Kushtetuta lejon kufizimin me ligj te te drejtave themelore per nje interes publik, dhe qe nuk cenon thelbin e te drejtes. Te njejtin qendrim mban GjEDNj. Në këtë aspekt, kufizimi mund te parashikoje jo vetem kufizim te te drejtes per tu zgjedhur por edhe te te drejtes se votes ne raste te caktuara.

Kufizimi me ligj, per nje arsye legjitime te demonstrueshme qarte dhe ne proporcion me kete qellim, i te drejtave te caktuara politike perfshire atyre zgjedhore, eshte i pranueshem ne nje shoqeri demokratike si nje mase qe synon mbrojtjen e sistemit dhe vlerave demokratike dhe institucioneve perkatese nga influenca ne perzgjedhjen e zyrtareve, politikeberje dhe vendimmarrje. Nje kufizim i tille eshte ne perputhje me Kushtetuten e Shqiperise, Konventen Europiane te te Drejtave te Njeriut, jurisprudence e Gjykates Europiane per te Drejtat e Njeriut, doktrinen e perpunuar nga Keshilli i Venecias dhe praktiken me te mire europiane dhe boterore.

Keto kufizime, si ne rastin e ndalimit te nje personi per te zgjedhur, per t’u zgjedhur apo emeruar ne nje funksion, ashtu edhe kur nje zyrtari duhet t’i nderpritet ushtimi i funksionit duhen parashikuar ne legjislacionin kushtetues dhe legjislacionin tjeter si masa per mbrojtjen e organeve perkatese nga influenca kriminale ne politikeberjen dhe vendimmarrjen e ketyre organeve. Nje kufizim i tille, posaçërisht i te drejtes per t’u zgjedhur nuk parashikohet si një sanksion penal apo administrativ por një mase per mbrojtjen e organit. Masa të tilla parashikohen aktualisht nga Kushtetuta siç eshte rasti i perfundimit të mandatit te deputetit kur konstatohet perfitimi i fondeve publike gjate mandatit apo shkarkimi i të zgjedhurve vendore nga Këshilli i Ministrave per shelje te ligjit.

Deputeti, ministri, dhe drejtuesit apo anëtarët e institucioneve të tjera kushtetuese dhe të krijuara me ligj janë mbajtës të besimit publik. Kryerja e nje vepre penale apo përfshirja serioze në nje veper te rende penale nga nje funksionar i zgjedhur apo i emeruar, cenon ne themel besimin publik mbi institucionet shtetërore. Besimi publik me te cilin vishet nje zyrtar dhe interesi publik per funksionimin demokratik te institucioneve cenohen edhe kur vepra penale eshte kryer nga personi qe kerkon te marre apo ka marre funksionin publik para zgjedhjes apo emerimit. Sa me e rende te jete shkelja, aq me i rende eshte cenimi e per rrjedhoje, ne proporcion me to duhet te jete edhe masa mbrojtese per organin perkates.

Instrumentat kushtetues dhe ligjore do te synojne vendosjen e rregullave me te ashpra per dekriminalizimin, bazuar ne praktiken legjislative me te spikatur europiane dhe boterore (Itali, Mbreteri e Bashkuar, SHBA, Australi etj) ne perputhje me jurisprudencen e GjEDNj, me qellim perballjen sa me efikase dhe trajtimin me te thelle te situates se paprecedent te kriminalizimit te organeve te zgjedhura, funksioneve te emeruara dhe administrates ne Shqiperi.

Veprat penale qe do te perbejne shtyllen e ligjit jane veprat penale qe perbejne krim te rende ne perputhje me percaktimet e Konventes se Palermos e OKB-se e vitit 2000, duke nisur me krimin e organizuar, si dhe veprat qe cenojne rende autoritetin e shtetit si dhe besimin publik, ku perfshihen veprat korruptive dhe ato te lidhura me zgjedhjet. Ndalimi do te perfshije edhe kategori me pak te rrezikshme veprash penale por qe gjithesesi jane te nje natyre te rende apo kur denimet e dhena per to jane te renda.

Në hartimin e këtij projektligji është mbajtur në konsideratë fakti se më 30 Qershor 2015 Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin nr. 807/2015 lidhur me mundësinë e përjashtimit të personave të dënuar nga Parlamenti. Referimi bazë në parashikimet e bëra në ligj kanë qenë Raporti Paraprak i Komisionit të Venecias [CDL-AD(2015)019], jurisprudence e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut duke përfshirë cështjet Hirst kundër Mbretërisë së Bashkuar Nr.2, Scoppola kundër Italisë dhe Labita kundër Italisë, si dhe Dekreti Legjislativ nr. 253, datë 31.12.2012 i Presidentit të Republikës së Italisë i njohur si “Ligji Severino”.

Modeli që është ndjekur në këtë rast është pikërisht modeli Italian, i cili bazuar edhe ne ekseriencen dhe praktiken e gjate ne luften ndaj mafias dhe krimit te organizuar dhe perpjekjeve te ketyre te fundit per te penetruar ne organet e pushtetit publik dhe/ose influencuar politikat publike, ka miratuar dy akte për parandalimin e këtij fenomeni. Konkretisht:

1. Dekreti Legjislativ i Presidentit te Republikes Nr. 235 dt. 31.12.2012 (i njohur edhe si “Ligji Severino”), sipas të cilit pengonte kandidimin ne zgjedhje ne Dhomen e Deputeteve, Senat, Parlamentin Europian, funksione qeveritare pefshire Keshillin e Ministrave, kur:
a) verifikohen raste te denimit penal per krime te renda si pjesmarrje ne organizata mafioze, terrorizem, rrembim personi
b) vepra kunder administrates publike ku perfshihet korrupsioni,
c) si dhe kur personi eshte denuar jo me pak se dy vjet per vepra penale te kryera me dashje dhe kur keto vepra penale denohen deri ne 4 vjet apo me shume.

Gjithashtu, ai parashikonte pengese per kandidim ne organet e pushtetit vendor apo emerim ne funksione te tjera me te ulta shteterore, per nje numer veprash penale. Mandati i deputetit, senatorit, eurodeputetit, kryeministrit apo ministrit, etj, nderpritet edhe kur pengesa per kandidim verifikohet pas marrjes se mandatit dhe gjate ushtrimit te tij.

2. Dekreti i Presidentit te Republikes Nr. 223 dt. 20.03.1967, i cili rregullon kriteret per perfshirjen e shtetasve italiane ne listat e zgjedhesve. Konkretisht, ai ndalon te drejten e votes (per rrjedhoje edhe te zgjedhjes) te personave qe:
a) Jane denuar me vendim te formes se prere dhe qe sjell humbjen permanente të të drejtes per funksione publike.
b) Personat per te cilet jane vendosur masa sigurie parandaluese, me burg apo detyrim paraqitjeje.
c) Personat te cilet jane ndaluar perkohesisht te ushtrojne funksione publike.

Komisioni i Venecias ka deklaruar se nuk është e pazakontë që një shtet të parashikojë kufizimin e të drejtës për t’u zgjedhur për shkak të një dënimi penal për një krim të rëndë. Por kjo mund të konsiderohet problematike nëse kufizimi aplikohet për cdo vepër penale, pavarësisht natyrës dhe seriozitetit të saj. Komisioni thekson se marzhi i diskrecionit i shteteve per te kufizuar te drejten per tu zgjedhur eshte me i gjere se ai per te kufizuar te drejten per te zgjedhur. Opinioni përmend faktin se në demokraci duhet garantuar që personat që konsiderohen nga shumica e votuesve si të papërshtatshëm për të vendosur për interesat e tyre të qendrojnë jashtë vendimmarrjeve legjislative apo Qeverisë. Qëllimi i këtyre kufizimeve ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i personave me rekorde të rënda penale apo që konsiderohen që mund të ndikojnë negativisht, mbi bazën e dyshimeve të arsyshme. Është interes i lartë public që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim. Gjithashtu, ndjekja e parimit të proporcionalitetit, bën që në aspektin sasior, ky kufizim të mos cenojë shtresa të gjera të popullatës, por një numër të kufizuar individësh dhe siguron padyshim funksionimin normal të organeve.

Komisioni i Venecias ka konstatuar se ka një interes të përgjithshëm publik për të shmangur rolin aktiv në politikbërje të personave të inkriminuar, sepse zgjedhja e votuesve nëse kandidatë të tillë i ofrohen mund të jetë e njëanshëm, vecanërisht nëse votuesit injorojnë faktin që personi ka qenë i dënuar dhe dorëzohen përpapra presionit të këtyre individëve, sidomos nëse kanë qenë të dënuar për krorrupsion apo krim të organizuar. Votuesit e kanë të pamundur të mos i zgjedhin këta individë në rastin e listave të mbyllura zgjedhore. Për pasojë, kufizimi i të drejtës për t’u zgjedhur për personat e dënuar duhet të parashikohet me ligj, kjo edhe në përputhje me nenin 17 të Kushtetutës. Në këtë rast, parimi i proporcionalitetit duhet të respektohet, duke mbajtur në konsideratë rrezikshmërinë e veprës penale, natyrën e saj dhe kohëzgjatjen e dënimit, sepse kufizimi si rregull nuk mund të zgjasë gjatë gjithë jetës. Kjo sepse kufizimi për të gjithë jetën duhet të aplikohet vetëm në raste tepër serioze.

Të gjitha këto cështje në vlerësimin e Komisionit të Venecias, duke qenë se kanë të bëjnë me kufizimin e një të drejte themelore të njeriut, duhet të përfshihen dhe trajtohen në nivel kushtetues dhe më pas të gjejnë pasqyrim në legjisalcionin dytësor. Për këtë qëllim, krahas amendamenteve kushtetuese përkatëse, ky projektligj detajon rregullat e hollësishme që përcaktojnë se nuk kanë të drejtë të zgjidhen apo emërohen në pozicionet kushtetuese të deputetit, Kryeministrit, ministrit, Avokatit të Popullit, anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarit, prokurorit, etj., individë të cilët kanë rekorde kriminale dhe që sipas kritereve të qarta përjashtohen nga e drejta për tu zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publi.

Projektligji ka parashikuar në mënyrë të qartë rastet e ndalimit të kandidimit, duke u bazuar në rrezikshmërinë e veprës penale dhe në llojin e dënimit. Konkretisht, nuk mund të kandidojnë, nuk mund të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: a) kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79 shkronja “ç”, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal; b) kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal; c) kryerjen e një krimi për të cilin janë dënuar me jo më pak se 2 vjet burgim; dhe ç) për kryerjen me dashje të një krimi, kur ata janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.

Gjithashtu, nuk kanë të drejtën të votojnë dhe të zgjedhin me votim të drejtprdrejtë kandidatët për deputetë në Kuvend apo në organet e qeverisjes vendore, personat personat të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për: kryerjen e një krimi të parashikuar nga nenet 73, 74, 75, 78/a, 79 shkronja “ç”, 79/a, 79/b dhe 79/c, 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 109, 109/b, 110/a, 111, 114, 128/b, 219, 220, 221, 230, 230/a, 230/b, 231, 232, 233, 234, 234/a, 234/b, 278/a, 282/a, 283, 283/a, 284/a, 287 i lidhur me kryerjen e një krimi të rëndë, 333, 333/a e 334 të Kodit Penal; apo kryerjen e një vepre penale në fushën e korrupsionit të parashikuar në nenet 244, 245, 248, 259, 260 apo në fushën e zgjedhjeve të parashikuar në Kreun X “Vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve” të Kodit Penal.

Ndalimi sipas projektligjit aplikohet edhe ndaj personave për të cilët është marrë masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga një autoritet gjyqësor i huaj, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penale të parashikuara në projektligj. Ndalimi zbatohet edhe ndaj personave që janë dëbuar nga territori i një vendi të huaj në lidhje me dyshimin për kryerjen e një prej veprave penale të parashikuara në projektligj.

Për të eleminuar fenomenin e ndryshimit të identitetit, projektligji parashikon se ndalimet e parashikuara në të zbatohen edhe ndaj personave që në kohën e kryerjes apo tentativës së kryerjes të veprës penale, mbanin të dhëna identiteti të ndryshme nga ato që mbajnë në momentin kur zbatohet ndalimi ndaj tyre. Ky parashikim është proporcional dhe synon mbrojtjen e interesit publik. Se pari, nuk jemi para nje denimi por nje mase preventive qe mbron organet e zgjedhura. Se dyti, behet per rastet ku lloji i vepres eshte me rrezikshmeri shume te larte, dhe ka proporcionalitet edhe sepse shtrihet ne kohe per qa kohe sa ekziston masa. Ky është qëndrimi i GJEDNJ-së në rastin Labita kundër Italisë.

Të njëjtat rregulla i nënshtrohen krahas deputetëve dhe organeve të qeverisjes vendore, edhe personi që kërkon të emërohet në funksionet publike si më poshtë: a) në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj; b) në postin e zëvendësministrit apo të njëvlerëshëm me të; c) d) në postin e prefektit; e) funksionarë politikë në kabinetet e drejtuesve të çdo institucioni kushtetuese apo të krijuar me ligj; f) në Shërbimin Informativ Shtetëror; g) në shërbimin civil; gj) në çdo nivel drejtimi të policisë së shtetit; h) ushtarakë të forcave të armatosura, si dhe i) në çdo post drejtues të kompanive që zotërohen plotësisht apo në mazhorancë ose administrohen nga shteti.

Kufizimet e parashikuara nuk anullojnë thelbin e të drejtës, sepse në aspektin sasior nuk prekin shtresa të gjera të popullësisë, dhe në aspektin cilësor individual të të drejtës, kufizimi është i përkohshëm dhe masa e kufizimit është në proporcion me gravitetin e veprës së konsumuar apo llojin e masën e dënimit, pra në përputhje me sjelljen antisistem të individit. Konkretisht, në funksion të respektimit të parimit të proporcionalitetit projektligji parashikon se për personat që parashikohen në shkronjën”a” të pikës 1, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të mandatit zgjat gjatë gjithë jetës. Për personat që parashikohen nga shkronja “b” dhe “c” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit zgjat respektivisht 20 dhe 10 vjet nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë. Për personat që parashikohen nga shkronja”ç” e pikës 1 të nenit 2, ndalimi zgjat nga momenti i përfundimit të dënimit me burg, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, deri në momentin e rehabilitimit, sipas nenit 69 të Kodit Penal. Përsa i përket personave që parashikohen në pikën 2 të nenit 2, periudha e ndalimit është sa afati i rehabilitimit të dënimit përkatës por jo më pak se 5 vjet.

Me tej projektligji detajon procedurat që realizohen për verifikimin e ekzistencës së kushteteve të parashikuara nga ligji. Konkretisht, procesi nis nëpërmjet vetdeklarimit, për të vijuar më pas me administrimin e vetdeklarimit nga organi kompetent, dhe realizimin e verifikimit nga një strukturë e posacme pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
Komisioni i Venecias ka konsideruar se ndërprerja e mandatit të një deputeti i cili ka qenë i dënuar dhe dënimi ka qenë në fuqi gjatë zgjedhjeve është e justifikuar, nëse njohja e këtij fakti ishte kusht për të mos lejuar kandidimin. Ndalimi i të drejtës për t’i zgjedhur është një kufizim i lirive dhe të drejtave temelore, por ai është i lejuar nëse bazohet në një normë të qartë ligjore, në një kohëzgjatje të paracaktuar dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit, që lidhet me natyrën e veprës penale dhe llojin e masën e dënimit. Të njëjtave kushte i nënshtrohet edhe ndërprerja e mandatit të të zgjedhurit. Rregullat mbi ndalimin e kandidimit, vecanërisht për krimet e renda, aplikohen në pjesën më të madhe të vendeve me demokraci të konsoliduar.

Për këtë qëllim, projektligji, krahas ndalimit të zgjedhjes apo emërimit të individëve me rekorde kriminale, parashikon edhe ndërprerjen e mandatit apo shkarkimin nga funksionet publike të individëve të tillë që i mbajnë ato aktualisht. Konkretisht, funksionarët publik që janë subjekt i këtij ligji sipas neneve 2 dhe 3, që janë aktualisht në detyrë, i nështrohen procesit të verifikimit, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit. Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalim, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, cështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetutes, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkakrimin nga detyra të funksionarit publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat sipas këtij ligji.

Nga ana tjetër, projektligji përfshinë edhe ndalimin e zgjedhjes apo emërimit në funksione publike të pesonave që janë përdorues të substancave narkotike. Ky parashikim synon mbotjtjen e integritetit dhe mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, forcave të armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare, dhe çdo insitucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje, i personave që janë përdorues të substancave narkotike.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson se është në detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë që të parandalojë degradimin e mëtejshëm të nivelit të përfaqësimit të shqiptarëve. Marrja e masave imediate për të zgjidhur fenomenin e kriminalizimit të institucioneve publike, është një tregues i pjekurisë politike të forcave politike të përfaqëuara në Kuvend dhe tregon maturi për të mbrojtur interesin publik dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Për këtë arsye, ne vlerësojmë se miratimi i këtij projektligji duhet të bëhet pa vonesa dhe të fillojnë të aplikohen menjëherë. Ne nuk mendojmë se projektligji do të arrijë të marrë dot votat e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Kjo, jo për faktin se projektligji paraqet probleme, por për shkak se nga zbatimi i tij, disa deputetë nuk do të mund të jenë më të tillë. Mirëpo, përkundrejt interesit të tyre të ngushtë individual, Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një përfaqësim dinjitez, jo nga njerëz me rekorde kriminale, por nga burra dhe gra që punojnë në interes të tyre. Ky projektligj i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe për pasojë duhet të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e politikës dhe mos përdorimit të krimit për të ardhur apo mbajtur pushtetin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb