ITALI- Mediat italiane kanë publikuar sot foton e dy vëllezërve, Mario Castagnacci dhe Paolo Palmisani, të ndaluar për vrasjen e 20-vjeçarit Emanuele Morganti në Altari, të cilin e rrahën barbarisht jashtë ambienteve të një diskoteke, pasi i kishin ngacmuar të dashurën.

Ndonëse fillimisht u tha se autorë të vrasjes ishin shqiptarë, hetimet çuan tek dy të rinjtë, të njohur edhe për raste të tjera dhune, që ishin fshehur në Romë menjëherë pas krimit.

Tgcom shkruan sot se ata të dy janë lënë në izolim në burgun e Regina Coeli, pas frikës për ndonjë hakmarrje të mundshme nga të burgosurit e tjerë.

Mediat shkruajnë se Mario Castagnacci ishte ndaluar në Romën më 23 mars, pasi mbante me vete qindra doza droge, por u la i lirë një ditë më pas. Mbrëmjen e po asaj dite ndodhi ngjarja e tmerrshem në Alatri.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se dy të rinjtë kishin konsumuar drogë të përzierë natën e masakrës si dhe alkool.

Kujtojmë se në 2011 Castagnacci ishte arrestuar me 5 kg hashash dhe për këtë ndiqej në gjendje të lirë.

Emanuele u sulmua dhe qëllua me një shufër hekuri dhe një tub që nuk janë gjetur ende, në mbrëmjen e së premtes në Alatri, duke i shkaktuar këtij të fundit thyerjen e kafkës. Pavarësisht të dhënave konkrete për dy të ndaluarit, ka ende për të hetuar.

“Kemi dëgjuar dhjetëra persona dhe versionet janë kontradiktore. Por rindërtojmë gjithçka për të kuptuar kush është përfshirë në sulm”,- tha prokurori i çështjes.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb