Deputetët e PDK-së kanë kritikuar dje drejtuesit e Komisionit të ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi se nuk kanë ofruar asgjë të re rreth demarkacionit përderisa ata të AAK-së kanë kërkuar që Komisioni të mos ngutet me punën e tij. Analistët vlerësojnë se kjo është përçarja e parë e partnerëve të koalicionit qeverisës, shkruan sot gazeta Zëri.

Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, e cila ka mbetur pa zgjidhje tash e dy vjet, gjatë ditës së djeshme “përçau” partnerët e koalicionit qeverisës. Përderisa Komisioni i ri për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi (i caktuar nga kryeministri Haradinaj) raportoi para Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, deputetët e partive politike që janë pjesë e koalicionit shfaqën mendime kontroverse lidhur me të gjeturat e deridjeshme. Gjersa deputetët e AAK-së u bënë thirrje anëtarëve të Komisionit që të mos nguten, por ta bëjnë punën sa më mirë dhe të sjellë fakte, ata të PDK-së konsideruan se gjatë ditës së djeshme Komisioni nuk ka ofruar asnjë të re rreth demarkacionit.

Përkundrazi, sipas tyre, ky Komision në raportimin e djeshëm është marrë vetëm me punët e ish-komisionit paraprak, të drejtuar nga Murat Meha. Pavarësisht tyre, përfaqësues të partnerit tjetër të koalicionit, Nisma për Kosovën, konsideruan se Komisioni gjendet para një presioni të madh për finalizimin e raportit. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në të tilla çështje duhet të ofrohen fakte e jo të bëhen deklarata politike. Ata me këtë rast nuk kanë përjashtuar mundësinë që demarkacioni të bëhet shkas për t’u përçarë përfundimisht ky koalicion./zeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb