NGA ELDA MENGA

TIRANE- Tetë muaj nga humbja e zgjedhjeve, Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e analizës. Në selinë blu janë dorëzuar të gjitha raportet dhe rekomandimet e krerëve të degëve, si dhe raportet konfidenciale të të deleguarve të kryetarit në çdo qark. Dy janë faktorët kryesorë që sipas demokratëve sollën humbjen e thellë: blerja e votave dhe problemet e brendshme.

“News24” ka mësuar se krahas analizës, në selinë blu kanë mbërritur edhe propozimet për ndryshimet statutore.

Me përmbylljen e kësaj faze, kryetari demokrat pritet të thërrasë kryesinë e partisë, e cila do të dalë më konkluzionet përkatëse. Me evidentimin e shkaqeve të humbjes, demokratët janë gati për një fazë të re, atë të riorganizimit të partisë. Analiza e zgjedhjeve zgjati përtej afatit dymujor të përcaktuar nga Lulzim Basha, por zgjedhjet brenda partisë pritet të mos marrin aq shumë kohë.

Një burim i tha “News24” se zgjedhjet e reja parashikohen të mbyllen brenda qershorit. Në zgjedhje pritet të futen të gjithë strukturat e partisë, degët, departamentet, sekretariatet, kryesia dhe këshilli kombëtar. Brenda dy javëve pritet që kryetari demokrat të lëshojë udhëzimin për procesin, afatet , kriteret e kandidimit dhe modalitetet.

Në të njëjtin udhëzim pritet të përcaktohet edhe fati i kryetarëve të degëve, nëse në zgjedhje do të futen vetëm ato që i ka mbaruar mandati apo të gjithë.

Që prej 25 qershorit humbja e zgjedhjeve ka qenë debati kryesor brenda partisë më të madhe në opozitë, e cila prodhoi si rezultat edhe lëvizjen për ringritjen e Partisë Demokratike, por që deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Lulzim Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb