SHBA-Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, tha se Shtetet e Bashkuara po konsiderojnë mundësinë e mbylljes së ambasadës në Kubë, pas një sërë “sulmesh ndaj shëndetit” të amerikanëve diplomatë që gjenden atje.

Sekretari Tillerson i tha kanalit CBS se “po e shqyrtojmë këtë çështje tepër serioze për dëmet shëndetësore që kanë pësuar disa individë”.

Të paktën 21 amerikanë kanë pësuar incidente që sipas Departamentit të Shtetit kanë shkaktuar një sërë simptomash, ndër të tjera humbje të dëgjimit, dëmtime në tru, dhimbje koke, zhurmë në veshë, dhe madje edhe probleme me përqëndrimin dhe kujtesën për fjalë të komunikimit të përditshëm.

Sipas Agjensisë Associated Press, megjithëse hetuesit kanë eksploruar mundësinë e valëve sonike ose të një arme të llojit elektromagnetik, nuk është identifikuar ende ndonjë paisje.

Ligjvënësit amerikanë janë të alarmuar prej këtyre incidenteve. Të premten, pesë senatorë republikanë i dërguan një letër Sekretarit Tillerson, ku i bëjnë thirrje për mbylljen e ambasadës në Havana, si dhe dëbimin e të gjithë diplomatëve kubanë nga Shtetet e Bashkuara, njofton Voa.

Ish-Presidenti Barack Obama rivendosi marrëdhëniet me Kubën dy vite më parë, një lëvizje që është kritikuar nga pasardhësi, Presidenti Donald Trump.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb