TIRANË- Përveç familjarëve të ish-kreut të Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi, kreut të PS-së Kavajë Gentian Daja, nënprefektit të Tiranës Fatos Kaja dhe ish-Shefit të Zyrës së Kadastrës në Kavajë Nezir Lecini, një nga përfituesit e pronave në Spille të Kavajës ka qenë edhe gjyqtari Luan Lusha.

Ai është në listën e gjatë të personave që kanë marrë tokë shtetërore në bregdetin e Spillesë. Lusha ka qenë në treshen e gjyqtarëve që toleroi dhe mundësoi lirimin nga burgu të Fadil Kasemit, bashkëshortit që vrau gjyqtaren Fildez Hafizi.

Madje Këshilli i Lartë i Drejtësisë nisi një inspektim në Gjykatën e Kavajës pas vendimit të dhënë 2 vite më parë për Kasemin, i cili më 31 gusht vrau ish-bashkëshorten e tij Fildeze Hafizi me armë zjarri në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë.

Kasemi më pas përfitoi nga amnistia, e cila e la të lirë në fillim të vitit 2016.
Tre gjyqtarët që u inspektuan nga KLD ishin Eda Kaja, Luan Lusha (kryesues) dhe Markelian Koço.

Ish-bashkëshorti i gjyqtares u dënua për “armëmbajtje pa leje në banesë” që dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg, dhe jo për “armëmbajtje pa leje në makinë apo ambiente publike” që dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg dhe ‘tentativë vrasje’.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb