TIRANË- Partia Demokratike ka vijuar akuzat ndaj kreut të Bashkisë Tiranë Erion Veliaj në lidhje me udhëtimin e tij në Paris. Për PD-në, Veliaj e ka thelluar skandalin pasi u pyet për çarterin që e çoi në Paris dhe foli për udhëtimin tjetër në Itali, ndërsa kostoja e udhëtimit ishte rreth 60-70 mijë euro.

Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma tha se çarterin e solli biznesmeni Artan Sheqeri, Veliaj në bord së bashku me Maznikun e Dhamon

“Erjon Veliaj thelloi skandalin e fluturimit me çarter dy ditë më parë, duke mos bërë transparencë, por duke mashtruar publikisht.
Ne e pyetëm sot në mesditë për motivin e vizitës me çarter në Paris, me datën 16 Janar, dhe i kërkuam të sqaronte se kush është biznesmeni që ka paguar këtë fluturim luksoz, dhe a ka ai interesa në bashkinë e Tiranës”, deklaroi Duma.

Sipas saj, Veliaj përgjigjet duke përmendur vizitën që ka bërë me 17 janar, në Itali, pra vizitën që ka bërë dje. “Kështu, ai e thellon skandalin, sepse i fshihet carterit të dy ditëve më parë, nuk bën transparencë dhe mundohet të hedhë mjegull duke përmendur një fluturim tjetër, të një dite më parë”. tha ajo.

Më tej Duma ka sjellë detaje të tjera në lidhje me udhëtimin. “Dy ditë më parë, të hënën, në orën 9 e 20 të mengjesit është ulur në Rinas një avion çarter i kompanisë AVCON-JET. 40 minuta më pas, ky avion është rinisur për në Paris, dhe në bord ishin 3 pilotë, Erjon Veliaj, Arbër Mazniku, Juli Dhamo dhe biznesmeni që erdhi, i mori e i shoqëroi në Paris, Artan Sheqeri”, u shpreh ajo, duke i drejtuar edhe disa pyetje kryebashkiakut.

“Përse Erjon Veliaj e mohon këtë udhëtim?
Pse fluturon me çarter për në Paris me kosto të paktën 60-70 mijë euro?
Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter?
A e pagoi biznesmeni Sheqeri këtë udhëtim?
Cfarë interesash ka biznesmeni Sheqeri me bashkinë?
A është i lidhur biznesmeni i çarterit me biznesin e plehrave ku u vra Ardit Gjoklaj?”, përfundoi Duma.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb