Nga: Mero BAZE
Qeveria amerikane po bën kujdes të përsërisë faktin se ka arsye të besojë, që ish- prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, është i përfshirë në korrupsion në atë shkallë, sa ata kanë aplikuar një ndëshkim të pashoq, që nuk është aplikuar ndaj ndonjë zyrtari të lartë shqiptar apo në rajon deri më sot, përveç atyre që janë futur në “listën e zezë” të presidentit të SHBA. Reagimi pason jo vetëm interesin e vazhduar të medias për këtë histori, por më së shumti mos reagimin e institucionit të akuzës në Shqipëri dhe institucioneve politike ndaj këtij fenonemi, dhe mbrojtjen e heshtur apo me zë dhe figurë që po i bëjnë atij.

Rasti i penalizimit të Adriatik Llallës nga SHBA dhe heshtja shembullore në Tiranë, për të mos thënë më keq, mbrojtja publike e tij, është standarti më i keq që politika ka vendosur për korrupsionin në Shqipëri. Është një standart edhe më i lartë se ajo çfarë mund të implikojë Adratik Llallën, që ne nuk e dimë ende se s’ka hetime për të.

Pasi nëse ne nuk e dimë ekzakt çfarë ka bërë Adriatik Llalla, por kemi një burim të besueshëm ndërkombëtar që ai meriton hetim, ne kemi një gatishmëri politike të pazakontë për ta mbrojtur atë, një prokurori që nuk po e heton, dhe një opinion publik që ka më shumë qejf teori konspiracioni, se sa një vullnet për të bërë presion për hetimin e tij.

Qëllimi nuk është të denigrohet Adriatik Llalla, por qoftë dhe të pastrohet, nëse ai është i pafajshëm. Por aman duhet të hetohet. Heshtja e prokurorisë dhe deklarata e saj se është e hapur për hetime, qëndrimet e LSI që marrin në mbrojte Llallën, pa pasur hetime, sikur të jetë drejtor rrugësh dhe bëhet fjalë për ndonjë tender, heshtja e PD, dhe vetëm një deklaratë politike e PS nga Taulant Balla, është një dëshmi se këtu beteja kundër korrupsionit është e relativizuar nga pozicioni politik. Sikur Llalla të ishte ende në krye të detyrës, reagimi natyrisht do të ishte i fortë. Tani që Llalla ka ikur dhe nuk i duhet askujt, por të gjithë kujtojnë ndonjë nder që mund t’u ketë bërë, të gjithë bëjnë sikur nuk dëgjojnë zëdhënësin e qeverisë amerikane, që përsërit faktin se qeveria amerikane ka fakte të besueshme, që ai është i përfshirë në korrupsion të nivelit të lartë.

Mos reagimi ndaj këtyre fakteve, mos nisja e një hetimi “kryesisht”, mos ngritja e zërit nga partitë politike për të nxitur hetimin, dhe akoma më keq, heshtja brilante e shtypit dhe shoqërisë civile, të angazhuar për luftën “kundër korrupsionit”, është një pasqyrë më e frikshme korrupsioni, se sa ajo që mund të gjendet nëse hetohet Llalla. Ky është denoncimi i vetëm dhe real që Adriatik Llalla po i bën shoqërisë sonë. Atë që nuk e bëri si kryeprokuror, kur mund të vinte gishtin dhe të çonte në burg këdo si hajdut, po e bën sot, duke parë se si shumica e hajdutëve janë në krah të tij. Është korrupsioni që është lejuar të lulëzojë nga ish- pushteti i tij, i cili po ja kthen nderin me heshtje. Siç i ka nderuar ai në vite.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: