*Djali: Nënën e gjeta të shtrirë, kishte pirë ilace gjumi, është rëndë në spital
*Gazetari i News24 në Vlorë, Enrik Mehmeti: Dhurata Miho nuk u ndihmua për shkak të denoncimit

VLORË- Vetëhelmohet një prej banorëve të Novoselës, e cila u prek nga përmbytjet e këtij viti. Mësohet se shtetasja Dhurata Miho ka kosumuar një sasi të konsiderueshme ilaçesh ditën e sotme dhe ndodhet ne spitalin e Vlorës. Sipas djalit të saj, ajo ndodhej në gjendje të shqetësuar, pas përmbytjeve pasi askush nuk i ka ndihmuar. Kujtojmë këtu që Dhurata Miho ishte banorja që denoncoi në Neës24 grupin e vlerësimit që punonte në gjendje të dehur.

Djali tregoi për News 24 se, nëna e tij kishte shkuar sot në komunë për të marrë ndonjë ndihmë, por ka ardhur që andej shumë e shqetësuar.

“Në orarin që lashë punën vajta në shtëpi e gjeta nënën të shtrirë në krevat, ilaçet i gjeta në shesh. Nëna dukej në gjendje gjumi, por shumë të thellë. Në mëngjes vajtëm bashkë në komunë, tek kryetari, i thamë të shkonim në zyrë nuk pranoi, tha njerëzit i takoj jashtë jo në zyrë. Aty filluan debatet që e çuan nënën deri në këtë situatë sa të pinte ilaçe. Kishte pirë ilaçe gjumi”, -tregoi Ledio Maze.

Ndërsa në lidhje më dëmshpërblimet ai shprehet se nënën e kanë marrë inat që pas denoncimit që bëri në News 24, dhe për këtë e kanë penalizuar.

“Deri tani nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim, shpërblimet bëhen sipas partisë, e futën partinë në mes. Kjo u bë se ne denoncuam në News24 ata të dëmeve. Pastaj këta të komunës na morën inat. Ne po prisnim të vinin për të vlerësuar dëmet dhe nuk erdhën deri më sot”

DENONCIMI I MIHOS PER NEWS24
Miho, e cila jeton me fëmijët e saj në një banesë të shkatërruar nga uji, u shpreh për mikrofonin e News24 se grupi i vlerësimit të dëmeve jo vetëm që nuk hyri në banesën e saj, por e anashkaloi.

“Grupi i vlerësimit të dëmeve jo vetëm që nuk ka ardhur, por biles më anashkaloi. Shkoi te gjitoni përballë meje dhe thanë se ishte punë urgjente. Zotëria që e kanë adresuar në atë komision ishte i dehur. Nuk ishte në gjendje të evidentonte gjë, fliste thapa-thapa. Të vijë dhe këtu në shtëpi time, i jap unë raki, dhe ujë që nuk kam”, denoncoi ajo pak kohë më parë.

ENRIK MEHMETI: NUK U NDIHMUA NGA KOMUNA PER SHKAK TE DENONCIMIT
Gazetari i News 24 në qytetin e Vlorës Enrik Mehmeti, në një komunikim telefonik tregoi se gruaja ishte në gjendje të dëshpëruar pasi komuna ia kishte mbyllur derën dhe shpresat se do ti jepnin dëmshpërblim. Mehmeti tregoi se ajo kishte konsumuar tre tableta me ilaçe.

Gazetari shprehet se ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me këtë banore të Novoselës, e cila sipas tij nuk është ndihmuar për shkak të denoncimit të dy komisionarëve që vlerësonin dëmet nga përmbytjet, në gjendje të dehur.

“Në orët e para të mëngjesit më kontaktoi dhe më tha që nuk ka marrë asnjë lloj zgjidhe, pra i është dhënë zgjidhje negative nga komuna. I kërkova që të shkonim bashkë tek kryetari i komunës, ditën e hënë që të regjistronim në kamera refuzimin e tij, por si duket ajo e ka përjetuar keq këtë situatë dhe ka ndërmarrë këtë akt ekstrem”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: