NGA ENRIK MEHMETI* VLORË– Denoncoi një nga skandalet më të mëdha në situatën e përmbytjeve, por sot ajo gjendet e vetme dhe e harruar nga të gjitha instancat. Dhurata Miho, banore e fshatit Fitore në komunën Novoselë deklaron për News24 se e kanë hequr nga lista e personave përfitues të ndihmave dhe për këtë gjë sipas saj arsyeja është denoncimi i komisionerëve të dehur të vlerësimit të dëmeve gjatë përmbytjeve.

Megjithëse ka kaluar rreth një muaj nga përmbytjet, në banesën e Dhuratës asgjë nuk ka ndryshuar, ajo s’ka marrë asnjë ndihmë dhe emrin ia kanë hequr nga lista e personave që duhet të përfitojnë. Ka trokitur në dyert e prefekturës dhe komunës, por nuk ka bërë dobi.

“Është e njëjta gjë, nuk më ka ardhur njeri. Shkoj në komunë disa herë dhe më thonë ik se do vijë komisioni i Vlorës. Vete atje, nuk është emri. E shkruajnë emrin, kur shkoj herës tjetër më thonë sërish se nuk e ke emrin. Pse ma heqin emrin, nuk e kuptoj”, tregon ajo.

Dhurata Miho mendon se institucionet po ia mbyllin dyert për shkak të denoncimit që bëri në fillim të shkurtit. Ajo thotë se dhe babain e saj, i cili gjithashtu u prek nga përmbytjet e kanë përjashtuar nga marrja e ndihmave. Ndërkaq ajo apelon për ndihmë.

“Po vdes me fëmijët. Po më shtyjnë të rrëzohem më. Po marrin hak tek babai im. Morën frigoriferë, soba, dyshekë e krevate ata që nuk janë përmbytur”, tregon Dhurata e cila i kërkoi ndihmë edhe kryeministrit gjatë një vizitë të tij në Novoselë.

“Kur unë Edi Ramës i kam dalë dhe i kam thënë urdhëro kjo certifikatë është në emrin tim dhe dua ndihmë të më ndihmosh, më tha “drejtohu në komunë”. Kur nuk ndihmon kryeministri kush do më ndihmojë”, shprehet gruaja. Dhurata Miho nga fshati Fitore i komunës Novoselë në fillim të shkurtit denoncoi komisionerët që  shkuan në gjendje të dehur të vlerësonin dëmet në banesën e saj. Rasti u bë publik në News24, dhe ngjarja shkaktoi reagime të forta.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb