TIRANË- Një debat në Komisionin e Ekonomisë parashikon një tjetër ‘përplasje’ mes LSI-së dhe PS-së në horizont.

Deputeti i LSI-së Gjovalin Kadeli nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Komisionit parlamentar të Ekonomisë ku duhet të prezantonte draftin ligjor për ekspertin fiskal të depozituar prej tij. Sot në komision do të mbahej seanca dëgjimore me grupet e interesit por Kadeli nuk ka marrë pjesë dhe kjo gjë nuk i ka pëlqyer kreut të komisionit Erion Braçe, i cili ka paralajmëruar se drafti rrezikon të tërhiqet mbrapsht.

“Ky nuk është propozim i Këshillit të Ministrave, por është i LSI. Propozuesi që është Kadeli nuk ka ardhur në Komision. Nuk kam përse ta diskutoj kur ata nuk janë të pranishëm. Propozoj tërheqjen pas të draftit”, tha Braçe në mbledhje. Ndërkohë edhe pas seancës dëgjimore, ai dha një paralajmërim të qartë për Kadelin. Ndërsa duket se mungesën e tij e ka marrë si një formë të qartë presioni.

“Nuk kanë ardhur propozuesit. Nuk mund të vazhdojmë më në këtë mënyrë. Ose të paraqiten në Komision ose do i kërkoj kryetarit të parlamentit të tërheqë draftin. Propozuesi ose do të vijë ose do të tërheqë draftin. Një gjë mund të them sot: Unë nuk pranoj asnjë presion”, deklaroi Braçe.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb