TIRANË- Deputeti demokrat Edi Paloka ka reaguar sot në lidhje me ndryshimet e kërkuara nga deputetët e maxhorancës në rregulloren e Kuvendit për rastet e hetimeve ndaj deputetëve.

Paloka thotë se kryeministri Edi Rama është i frikësuar nga drejtësia sa që po nxiton të kap me urgjencë çdo hallkë që lidhet qoftë dhe në distancë me drejtësinë. Ai shpjegon se çfarë do të arrijë Rama sipas tij për të siguruar veten.

STATUSI I PALOKËS
Kush ka frikë nga drejtësia e pavarur …Opozita apo Rama ?
I shpifur dhe i neveritshëm Ramballa u shfaq sot duke u përdredhur përpara gazetarëve në përpjekje për të mbuluar një të vërtetë që tashmë e ka kuptuar edhe më budallai i “Rilindjes”; friken e Ramës nga një drejtësi që nuk është totalisht në duart e tij.

Pasi shkeli ligjin dhe Kushtetutën për të mbrojtur Saimir Tahirin, Rama vendosi “të legalizojë” këto shkelje duke i futur në rregulloren e Kuvendit. Pra jo të pasqyrojnë në rregullore ndryshimet Kushtetuese, siç u përpoq të mashtronte sot, po që pikërisht shkeljen e Kushtetutës në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores e më pas në seancën parlamentare, në rastin Tahiri, ta kthejë në rregull e në ligj.

Kaq flagrante dhe e trashë është kjo lëvizje e Ramës sa dhe mashtruesit më të paturp të “Rilindjes”, atë që nxjerr zakonisht në raste të tilla, sot ju mor goja përpara gazetarëve në përpjekje për ta mbuluar të pëgërën e fundit të shefit të tij.

Frika dhe paranoja është emblema e Ramës për ata që e njohin mire. Pikërisht kjo frikë e kontrollon dhe sjelljen e tij në këtë rast ku megjithëse po duke shkelur Kushtetutën, u vetzgjodh dhe Prokuror i Përgjithshëm, nuk ndjehet ende i sigurt.

Anulimi i vendimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pak ditë më parë, është një tjetër provë e frikës kryeministrore. Ai që nuk ka lënë rast pa përmendur “ndërkombëtarët” lidhur me reformën në drejtësi, në rastin e parë që këta ndërkombëtarë morën një vendim jashtë interesave të tij, ai i bëri “nul” duke përdorur një nëpunës, militant të “Rilindjes”.

Siç duket, rasti i mikut të tij, ish-kryeministrit të Rumanisë Ponta, po ja prish terezinë Ramës që po nxiton të kap me urgjencë çdo hallkë që lidhet qoftë dhe në distancë me drejtësinë. E për të qenë edhe më i sigurt se edhe ata që po i cakton vetë në institucionet e drejtësisë, nuk do e “tradhtojnë”, kërkon me ndryshimet e fundit që do të bëj në rregullore (antikushtetuese dhe këto) të lërë fatin e tij dhe të “peshqve” të tjerë të mëdhenj të krimit, vetëm në duart dhe kartonët e “rilindasve” të tij në Parlament. A thua duhet të ketë besim se edhe ata nuk do e “tradhtojnë” kur ta shohin që ka filluar thyerqafja e tij…

Paloka fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: