TIRANE-I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja tha se Këshilli për Mandatet ka zbatuar rregulloren dhe se shtyrja e tij për nesër, ku do trajtohet kërkesa e Prokurorisë për mandatin e Saimir Tahirit nuk cenon procesin.

“Prokuroria e kërkon, por është kuvendi ai që e vendos. Kuvendi ka ndjekur procedurën e rregullt. Prokuroria pati mundësinë të bëjë parashtrimin e kërkesës, por i njëjti standard duhet t’i garantohet edhe palës tjetër. Kuvendi nuk ka pse ngutet kur ne respektuam rregulloren dhe aq më tepër kur Kuvendi autorizon arrestimin e një deputeti”- tha Manja, raporton ‘BalkanWeb’.

Ndër të tjera Manja tha se tashmë jemi në fazën e hetimit dhe përgjimi është mjet kërkimi për prova, por jo provë. Sipas tij prokurori nuk ka prova, pasi nëse do kishte prova, Tahiri do ishte arrestuar në flagrancë.

“Procesi penal ka 4 faza, fillimi, hetimi, gjykimi dhe ekzekutimi i vendimit. Jemi në fazën e hetimit. Prokuroria është e lirë të vijojë hetimet. Gjykata vendos standardin e provës, por edhe Kuvendi i kërkon Prokurorisë ku i përligj provat. Nëse prokurori do kishte pasur prova do kishte vendosur arrestimin në flagrancë të Tahirit. Por nuk e ka bërë sepse nuk ka prova. Prokurori ka ardhur dhe tani ja kërkon Kuvendit. Kuvendi nuk ka të drejtë të kërkojë dyshimin e arsyeshëm të bazuar në prova. Përgjimi është mjet kërkimi për prova, por jo provë”- tha Manja.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: