TIRANEKryeprokuroja e re Arta Marku, u përfol si propozim i deputetit socialist Ulsi Manja, pasi së bashku ata kanë qenë në Prokurorinë e Shkodrës. Lidhur me këto deklarata dhe akuza, ka reaguar vetë deputeti socialist. Në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”, deputeti Manja ka folur për njohjen me të zgjedhurën Prokurore e Përgjithshme e përkohshme.

Teksa shpreh vlerësimin e tij për Kryeprokuroren e re, deputeti socialist thotë se Arta Marku është e denjë për t’u ulur në atë karrige.

“Njohja jonë daton në vitet 2002-2007 kur unë punoja në Prokurorinë e Shkodrës. Kam punuar në Shkodër me Zonjën Marku, kam qenë për disa kohë eprori i saj. Dihet problematika e Shkodrës. Është një nga qytetet e mbarsur me situata kriminale. Dhe unë mendoj se çdo prokuror që ka ushtruar detyrën atyre është i denjë për t’u ulur në karrigen e kryeprokurorit.

Ato që thuhen janë akuza që bëhen nga segmente të caktuara të opozitës. Me ikjen e Llallës, tek opozita duket se janë thyer ca ekuilibra. Duhet të jetë hall shumë i madh ai që i ka detyruar të reagojnë ashtu në Kuvend.

Zonja Marku, po t’i referoheni kandidaturave për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë rezulton se ka qenë një ndër 19 kandidatët që kanë kandiduar me iniciativën personale. Pra nuk është një kandidature që erdhi dhe u bë pjesë e garës bashkë me kandidatët e tjerë që duhen falënderuar që u bënë pjesë e garës, me ndikim. Arta Marku u zgjodh aty si profesioniste për të ushtruar funksionet dhe detyrat.

Në mënyrë të vazhdueshme kryeministri Rama i ka bërë thirrje të vazhdueshme kreut të opozitës për të gjetur një zgjidhje, jo për të bërë Pazar, apo marrëveshje politike për të zgjedhur një Kryeprokur. Thirrja ishte e thjeshtë, për dakordësi për procesin që do ndiqej. Ne kemi ndjekur të njëjtën procedurë si për Avokatin e Popullit, për Komisionerit kundër diskriminimit, pra me shprehje interesi publik, dhe më pas janë bërë dëgjesat për kandidaturat”, u shpreh deputeti Manja.

Sakaq, ai ka treguar edhe momentet kur ka kontaktuar me Arta Markun.

“Komunikimi im me Arta Markun, të cilës gjej rastin t’i uroj detyrën e re, ka qenë atë ditë që ka ardhur për seancë dëgjimore, dhe ditën kur është zgjedhur. Pra kam komunikuar në ditën e dëgjesave me të, ashtu si edhe me 6 kandidatët e tjerë”, tha ai.

Marku ka qenë një nga kandidatet më të favorizuara që prej fillimit, edhe pse në karrierën e saj nuk ka ndonjë çështje shumë të madhe për të cilën ka hetuar.

I pyetur lidhur me këtë, deputeti Manja u shpreh:
“Unë nuk jam për të bërë bilancin e punës së Arta Markut. Dosjet janë aty, çështjet që ka hetuar po ashtu. Ne si Komision na mjafton vlerësimi i punës që është bërë për secili nga kandidatët që iu bashkuan garës. Arta Marku kishte vlerësim maksimal nga eprorët e saj”.

PJESE NGA INTERVISTA

Si e njihni ju Arta Markun, përtej asaj që ne dimë. Keni qenë epror i saj në Prokurorinë e Shkodrës?
Në vitet 2002-2007 nuk kam qenë vetëm eprori i Arta Markut në Shkodër. Kanë qenë disa prokurorë, mbi 17-18, pasi ka qenë një ndër prokuroritë më të mëdha të Shqipërisë. Arta Marku i përket gjeneratës së parë të magjistratëve që janë profilizuar për prokuror.

Përtej kësaj që dimë, kur daton njohja juaj?
Njohja jonë daton në vitet 2002-2007 kur unë drejtoja Prokurorinë e Shkodrës. Unë pastaj jam larguar në 2007 dhe zonja Marku ka vazhduar të punojë atje me kolegët e tjerë. Shkodra është një nga rrethet që ka problematika të caktuara, dhe e kam thënë që kushdo nga ata prokurorë që ka punuar atje është i denjë për të qenë në karrigen e Kryeprokurorit.

Por në rastin e Arta Markut ka patur akuza për ju, pasi jemi etiketuar si personi që ka kontribuuar më tepër të ta zgjedhur atë si Prokurore të Përgjithshme të përkohshme. Si i keni parë ju këto akuza?
Ato që thuhen janë akuza që bëhen nga segmente të caktuara të opozitës, që siç duket me largimin e Llallës, janë prishur shume ekuilibra në atë institucion. Akoma e sot nuk e kuptoj si mundet të shkosh deri në limitet e dhunës në Kuvend, për të mbrojtur një ish-kryeprokuror që i kishte mbaruar mandati sipas Kushtetutës. Duhet të jetë hall shumë i madh ai që i ka detyruar të reagojnë ashtu. Por të vijmë te akuzat.
Zonja Marku, po t’i referoheni kandidaturave për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë rezulton se ka qenë një ndër 19 kandidatët që kanë kandiduar me iniciativën personale që në momentin kur u shpall gara. Pse 19 kandidatët që erdhën nga radhët e prokurorisë për t’u bërë pjesë e Këshillit unë i solla? Secili nga ata të 19 mund të ishte pjesë e garës për karrigen e kryeprokurorit. Pra nuk është një kandidaturë që erdhi dhe u bë pjesë e garës bashkë me kandidatët e tjerë që duhen falënderuar që u bënë pjesë e garës, nuk është se erdhi rastësisht. Kishte kandiduar më parë për të qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Zonjën Marku mund ta identifikojmë si një grua të fortë, që pavarësisht asaj që po ndodhte në Kuvend, ajo erdhi. Dhe me një qëndrim të ftohtë tha “betohem”, dhe u largua.
Po pra, ky është edhe paradoksi i opozitës që thotë “nuk kemi gjë me Prokuroren e Përgjithshme, sepse ajo mund të jetë shumë e denjë dhe shumë dinjitoze, por e kemi me procesin”. A kanë ku rrinë këto dy gjëra? Arta Marku u zgjodh aty si profesioniste për të ushtruar funksionet dhe detyrat që ka Prokurori i Përgjithshëm.

Po a mund të ishte bërë më e qartë procedura e përzgjedhjes?
Në mënyrë të vazhdueshme kryeministri Rama i ka bërë thirrje të vazhdueshme kreut të opozitës për të gjetur një zgjidhje situatës së krijuar pas mbarimit të mandatit të Llallës, jo për të bërë pazar, apo marrëveshje politike për të zgjedhur një Kryeprokuror. Thirrja ishte e thjeshtë, për dakordësi për procesin që do ndiqej. Ne kemi ndjekur të njëjtën procedurë si për Avokatin e Popullit, për Komisionerit kundër diskriminimit, pra me shprehje interesi publik, dhe më pas janë bërë dëgjesat për kandidaturat. Prodhohet një raport, dhe materializimi i emrit bëhet me mbështetje të firmave të deputetëve.

Keni pasur komunikim me Markun nga momenti që përflitej emri i saj deri në përzgjedhjen si Kryeprokurore?
“Komunikimi im me Arta Markun, të cilës gjej rastin t’i uroj detyrën e re, ka qenë atë ditë që ka ardhur për seancë dëgjimore, dhe ditën kur është zgjedhur. Pra kam komunikuar në ditën e dëgjesave me të, ashtu si edhe me 6 kandidatët e tjerë.

Keni njohje familjare me të?
Kam njohje siç kam më të gjithë prokurorët që kam punuar në atë prokurori. Unë kam punuar në 4 prokurori, në Dibër, në Mirditë, në Lezhë dhe në Shkodër. Duke qenë se kam qenë për shumë vite pjesë e atij sistemi, unë kam njohje me prokurorët që kanë qenë pjesë e sistemit në ato vite. Kandidaturat për këto detyra nga prokuroria vijnë, nuk vijnë nga hëna. Mbase në këtë rast ka krijuar çudi fakti se vjen një Prokurore nga një rreth tjetër. Por unë them se në këto prokurori punojnë funksionare me integritet dhe profesionistë.

Në këndvështrimin tuaj A është Arta Marku për 7 vite Kryeprokurore?
Unë flas vetëm siç thotë ligji. Shumë shpejt Kvuendi, me fillimin e sesionit të janarit do të merret me ngritjen e institucioneve të tjera të drejtësisë. Marku nuk ka asnjë pengesë ligjore që të zgjidhet Prokurore e Përgjithshme me mandat të plotë dhe për 7 vitet e tjera, por kjo nuk varet nga Kuvendi. Ditën që hapet KLP, ku këshill do të ndjekë të gjitha procedurat e nominimi të kandidaturave që do t’i vijnë Kuvendit. Pra ajo ka të drejtën e kandidimit.

Është përfolur se Marku në karrierën e saj nuk ka ndonjë çështje shumë të madhe për të cilën ka hetuar?
Unë nuk jam për të bërë bilancin e punës së Arta Markut. Dosjet janë aty, çështjet që ka hetuar po ashtu. Ne si Komision na mjafton vlerësimi i punës që është bërë për secili nga kandidatët që iu bashkuan garës. Arta Marku kishte vlerësim maksimal nga eprorët e saj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb