LIBRAZHD- Drejtuesi politik i PS në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla zhvilloi një takim me banorët e fshatrave Lugaxhi dhe Budan të Njësisë Administrative Labinot Mal. Së bashku me banorët e kësaj zone Balla pa nga afër urën e ndërtuar mbi përroin e këtij fshati, e cila u vjen në ndihmë qindra banorëve. Mungesa e kësaj ure izolonte këta banorë përgjatë gjithë dimrit, dhe menjëherë pas Reformës Administrativo-Territoriale, Bashkia e Elbasanit mori masa për ndërtimin e saj.

Në këtë takim Balla nuk la pa përmendur votimin në seancën e djeshme parlamentare të Vettingut.

“Pas ditës së djeshme në Parlament, më në fund arritëm ta zhbllokojmë reformën në drejtësi, arritëm të fusim edhe PD në zgjedhje. Kjo do të thotë që fitorja jonë me 25 qershor për ditë Bajrami do të jetë edhe më kuptimplotë për shkak se të gjithë aktorët janë brenda në këtë garë.

Unë jam shumë i gëzuar që e filloj punën time si deputet i kësaj zone me një vepër, e cila ka dhjetëra vite që ka qenë e nevojshme dhe ky është shembull i qartë i suksesit të reformës Administrative-Territoriale. Nëse do të kishim vazhduar me atë ndarje administrative komuna Labinot Mal nuk do të kishte kurrë mundësi ta bënte jo urën, por pas urës ajo që vijon dhe që është detyrimi im, është edhe një rikonstruksion i plotë i rrugës dhe mbi të gjitha vazhdimi i investimeve tona përsa i përket nevojave që ka fshati.

Fshati nuk ka nevojë që të vijë ndonjë deputet apo kryetar bashkie t’i punojë tokën, sepse e punon vetë, por detyra jonë është t’i krijojmë mundësi që ta punojë, ti shkojë makina dhe uji vaditës dhe investimi edhe në ujin e pijshëm.

Përsa i përket rrugës, fakti që bëmë këtë investim për urën do të shoqërohet edhe me investimin për rrugën”, u shpreh Balla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb