SERBI-Partia shqiptare në Luginë të Preshevës, Partia për Veprim Demokratik ka shprehur interesim për futje në koalicion me fituesin e zgjedhjeve në Serbi, listën e përbashkët “Fiton Serbia” e udhëhequr nga partia e kryeministrit Vuçiç, Partia Përparimtare e Serbisë.

“Partia për Veprim Demokratik është e interesuar që të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Nëse Aleksandar Vuçiç vendos që të ftojë në koalicionin e gjerë, që e ka paralajmëruar, ne këtë ftesë do ta pranojmë”, ka thënë Fatmir Hasani për mediet serbe. Hasani është edhe deputeti i vetëm i shqiptar i dalë nga zgjedhjet e 24 Prillit, transmeton Koha.net

Në atë se a ka marrë ende një ftesë zyrtare për bashkëpunim, Hasani ka thënë se është herët sepse nuk kanë dalë ende rezultatet zyrtare nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve. Kësaj i shtohet edhe dhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti, Tomislav Nikoliç.

Futjen në koalicionin e paralajmëruar nga Vuçiç, Hasani e sheh si mundësi për të dhënë ndihmën e tij në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë.

“Tash mund të flasim vetëm për pozitën e partisë dhe dëshirave tona. Jemi të gatshëm të ndihmojnë kryeministrin Vuçiç në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se do të ndihmojnë edhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në Luginën e Preshevës.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb