Nga: DARINA TANUSHI*

TIRANE – Politika shqiptare po diskuton këto ditë mbi një temë të shumëpërmendur në këto 24 vjet demokraci, hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Madje, dy prej deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi kanë depozituar në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve. Idenë e hodhi, dashur pa dashur, vetë kryeministri Edi Rama, ditën e hapjes së bunkerit muzeal, ‘Bunk’Art’. Por, ndërkohë djali i të ndjerit Nazif Bezhani, ish-kryesuesit të Komisionit për Verifikimin e Figurave, shprehet skeptik për hapjen e këtyre dosjeve. Këtë konkluzion, Viron Bezhani e ka krijuar pas bisedave që ka bërë shpesh me babanë e tij. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Viron Bezhani rrëfen disa nga historitë e kohës që kanë bërë bujë.

Babai juaj ka kryesuar komisionin e famshëm “Bezhani”, për të hedhur dritë mbi të shkuarën e personave të caktuar, por në fakt nuk u arrit të hapeshin ato dosje. Çfarë ka ndodhur në dijeninë tuaj? Çfarë ka penguar?
Për mua ka penguar ligji. Ligji e thoshte saktë, edhe në rastin e komisionit “Bezhani” se si duhet të vepronte kur kishte të bënte me spiunë. Duhet të ndiqeshin tri etapa. Duhet t’i çohej një letër kryeministrit për ta larguar nga detyra. Mbase nuk pranonte dhe pastaj thirrej vetë personi dhe sqarohej që ti ke këto kushte që nuk i plotëson dhe duhet të largohesh. Nëse nuk e pranonte këtë, pastaj baba, siç ka vepruar me nja dy persona që ka dalë edhe hapur me artikull në gazetë, duke i detyruar pastaj që të tërhiqeshin personat.
Mund të përmenden me emra këta dy persona, mund t’i thoni?
Unë mund t’i përmend, s’ka asnjë lloj problemi. Baba i ka nxjerrë edhe në artikull, janë gati, me shkrimtarë, politikanë që janë larguar edhe nga ministër, edhe nga ambasadorë. Nuk është asnjë lloj problemi t’i them unë, por ajo që unë mendoj se është e rëndësishme, është ajo që babi e thoshte shpesh: nuk është problemi se këta sigurimsa janë trajtuar të gjithë si armiq. Ai i ndante, ka edhe persona që kanë punuar në Sigurim, por që i kanë shërbyer shtetit më së miri. Kanë qenë edhe pozitivë. Nuk duhen futur të gjithë në një thes. Duhen futur ata persona që kanë bërë vepra kriminale, që kanë gënjyer. Në atë kohë, thoshte baba, regjimi i diktaturës, nëse një familje kishte një pjesëtar të arratisur, ai e quante armike të gjithë familjen. Edhe në demokraci po ndodh e njëjta gjë. Të gjithë sigurimsat po i quajnë armiq të popullit. Këtu nuk kemi armiq ata, kemi persona të thjeshtë që kanë shërbyer. Rasti konkret për shembull, thoshte babai, në një ndërmarrje ishte gjithmonë një person i Sigurimit që raportonte për çfarë ndodhte në ndërmarrje, ose që raportonte për “X” person që donte të arratisej. Normalisht ai i ka shërbyer shtetit. S’ka pse të penalizohet. Ndaj kërkohej që të ndryshohej ligji, për t’i ndarë në kategori, të ndante fajtorët me veprimtarinë antiligjore. Ajo që do të thosha unë, vetë baba nuk është se kishte mendimin se dosjet duheshin hapur.
Pse e kishte këtë mendim babi juaj?
E kishte këtë mendim, sepse po ju tregoj një histori që vetëm në një gërmë që unë kam shtypur doli një dosje mjaft e poshtër, për të cilën thoshte se nëse kjo botohej kush e di sa vetë do ta pësonin. Është historia e një deputeti nga fshatrat e Dibrës, që futi në burg të vëllanë për të shkuar me nusen e vëllait. Nuk është ndonjë problem t’i them edhe emrin, por është shumë e rëndë. Por ai që e di se çfarë ka ndodhur, e kupton shumë mirë kush është. Aty është i përfshirë një fshat i tërë në një batak të jashtëzakonshëm. Babi më tregonte përditë ngjarje. Ky është një fenomen që nga hapja e dosjeve dëmtohen shumë njerëz, shumë shqiptarë. Për hapjen e dosjeve, ai kishte një mendim që të hapeshin vetëm dosjet e atyre që do kandidojnë në politikë, kush do që të bëhet ministër apo për një person që do të zgjidhet kryeministër. Nëse do të hapen dosjet në masë, nuk ka leverdi në këto momente kombi, aq më tepër që shumë dosje vetë regjimi i ka marrë dhe i ka përdorur. Disa i ka përdorur politikisht. E merrte për shembull Viron Bezhanin dhe i thoshte shiko ke bërë këtë e këtë, ndaj do t’u bindesh urdhrave tona. Unë mbaj mend një histori që ka qenë mjaft e dhimbshme për familjen tonë, kur një eksponenti mjaft të rëndësishëm i PD-së do i publikohej dosja. E kishte vendosur baba që t’ia publikonte dosjen. Tri ditë rresht, madje ditën e katërt mbyllet në shtëpi. Kishte patur lloj-lloj telefonatash. Nëna e shkretë dridhej, më kapte mua sa herë vija nga stërvitja dhe më thoshte do publikohet dosja. E kishte kapur një frikë e tmerrshme. Babai thoshte që do e publikoj, sepse edhe unë që e kisha lexuar atë dosje ishte për t’u publikuar, sepse kishte shumë, shumë arsye që duheshin publikuar. As vetë nuk e di pse nuk e lanë ta publikonte këtë dosje.
A vazhdon të jetë ky eksponent i PD-së sot në politikë?
Po, po e ke në politikë.
Mund t’ia thoni emrin?
Po t’ia thosha unë emrin sot, është njësoj si në atë kohë që dridhej nëna, sot të dridhet fëmija im.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: