TIRANË- Zgjedhjet lokale sjellin pakënaqësitë e para në radhët e së majtës. Deputeti i Përmetit, Vladimir Kosta largohet nga Partia Socialiste. Shkak për largimin e tij, është bërë kundërshtimi për kandidatin e zgjedhur për Bashkinë e Përmetit, për të përfaqësuar Partinë Socialiste në zgjedhjet e 21 qershorit.

Ndër të tjera, ai shton se kandidatin e përzgjedhur nga e majta e ka akuzuar për abuzime me fondet.
Me anë të një sms-je Kosta iu drejtohet kolegëve:
“Të Nderuar Kolegë!
Kandidatura e Përmetit është vendosur kundër dashjes time. E kundërshtova me fakte para Kryeministrit aktual, por krye kryeministri Ahmetaj bashkë me Taulantin dhe të fortët e gazetës “Dita”, vendosën Gilberto Jacen, të cilin unë personalisht e kam denoncuar për hetim të fondeve publike pranë KLSH. Edi Rama as nuk mori mundimin të më dëgjonte për sa i shpjegova. Për sa më sipër dhe për sa s’jam dëgjuar deri më sot në këtë Parti, me keqardhje largohem nga Partia Socialiste, si Deputet i pavarur. Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin”,- përfundon mesazhi i Kostës.

Vladimir Kosta vjen nga bota e biznesit dhe njihet si pronari i kullës 15 katëshe, ‘kulla e Vodafone’ në zonën e ish­-Bllokut. Ai mori mandatin e deputetit në fillim të vitit të kaluar, pasi e dorëzoi ministri Arben Ahmetaj.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: