TIRANE– Deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj, e cilëson një gënjeshtër të madhe audio-përgjimin e publikuar nga PD, i cili implikon vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës. Në rubrikën “Opinion” në “News24”, Felaj thotë se PD po përpiqet të sulmojnë ministrin Xhafaj, duke e akuzuar se ka përdorur pozitën e tij për të favorizuar të vëllain.

“Opozita i ka përqendruar bateritë e veta në mbajtjen gjallë të një gënjeshtre, që e sajoi dhe e hodhi në publik. Më shumë sesa i bën keq individëve që preken nga kjo gjë, ajo i bën keq interesave të vendit. Në këtë moment të gjitha partitë politike të vendit duhet ët ishin bashkë, pasi jemi para momentit kur Shqipëria pret çeljen e negociatave, pas një rekomandimi të pakushtëzuar. Kjo çështje është një gënjeshtër e madhe. PD për fatin e saj të keq, i është dashur që për të ngritur një çështje të tillë të zhytet në gjirizet më të thella të krimit. Agron Xhafaj apo çdo person tjetër nuk do kishte një mbrojtje më të mirë se ajo dëshmi e çalë që dëgjuam përmes menduar”, u shpreh Felaj.

Deputetja Felaj tha se dëshmitari X është tërësisht i pabesueshëm.

“Ai është i pabesueshëm. Ka kaq shumë kapërcime logjike. Është tërësisht i montuar. Bisedat duket që janë krejt pakuptim. Duke dëgjuar dëshmitarin të krijohet ideja sikur ky e përgjoi se donte të hakmerrej. Po nëse e dëgjon duket sikur thotë se Agron Xhafaj përgjoi veten dhe ai dha PD. Pra ka mospërputhje të mëdha mes dy dëshmitarëve që serviri PD. Këta persona do të jenë në rolin e deklaruesit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, dhe të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës për këtë ngjarje që e ngritën ata vetë”, u shpreh Felaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb