MAQEDONI- Debati për propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk ka fund. Në ditën e dytë të debatit në Komisionin për sistem politik dhe marrëdhënie ndëmjet bashkësive etnike, deputetja e VMRO DPMNE-së, Nevenka Stamenkovska nënvizoi një sërë mangësish juridike, që sipas saj argumentojnë pse propozim ligji pa të drejtë mban yllin e Bashkimit Evropian.

Sipas Stamenkovsëks, gjuha shqipe edhe ashtu është e aplikueshme e Marrëveshja e Ohrit tashmë është realizuar, ndaj nuk ka aspak nevojë për ta diskutuar propozim ligjin në fjalë.

“Me ndryshimet kushtetuese në vitin 2001, Ligji për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në RM-së dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale është miratuar më 4 gusht të vitit 2008 dhe me këtë gjuha shqipe është bërë gjuhë e dytë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, kuptohet në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku ka mbi 20%. Sipas meje, tema për përdorimin e gjuhës shqipe tashmë është vendosur në korniza kushtetuese dhe me këtë sipas meje dhe tezave të shumë personave profesionistë duhet të mbyllet edhe tema e Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Nevenka Stamenkovska, VMRO DPMNE.

Por deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili duke iu referuar raporteve të BE-së, theksoi se Marrëveshja e Ohrit akoma nuk është realizuar tërësisht, pikërisht për shkak të mos-rrumbullakësimit të çështjes së shqipes. Ai i apeloi VMRO-së të mos keqpërdorë këtë temë për “poena politike” para zgjedhjeve lokale, shkruan “alsat-m”.

“Kam qenë deputet që nga përbërja e vitit 2011 dhe kemi pasur mundësi ta shqyrtojmë raportin e vitit 2010, 2011, 2012, 2013, 2014 dhe në të gjitha këto raporte njëra prej vërejtjeve kryesore që i kemi pasur ka qenë ngecje në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Dhe çështja e rregullimit të gjuhës dhe gjuhëve të bashkësive që janë më pak se 20% është zgjidhur hap pas hapi. Nuk është rrumbullakësuar deri tani konform Amandamentit V të Kushtetutës”, u shpreh Rexhail Ismaili, BDI.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb