SARANDE – Prokuroria e Sarandës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Besnik Abedini, kryetar i Komunës Ksamil dhe shtetasit Fatos Malaj, shef i zyrës së Urbanistikës në këtë komunë.

Burime zyrtare nga Prokuroria bëjnë të ditur se këta dy shtetas akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe janë hetuar nën masën e sigurisë “arrest me burg”.

Të pandehurit akuzohen se kanë shkelur ligjin në disa raste të dhënies së lejeve të ndërtimit në komunën e Ksamilit. Hetimi ka nisur në bazë të referimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, si edhe nga ana e Komisariatit të Policisë Sarandë, mbi një rast ndërtimi të paligjshëm.

Nga veprimet proceduriale të kryera nga Prokuroria Sarandë, rezultoi se janë aplikuar praktika të kundërligjshme në të paktën 15 raste të dhënies së lejeve të ndërtimit.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: