TIRANE – Ministri i Transportit Sokol Dervishaj, bëri të ditur se punimet për hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës do të përfundojnë brenda afateve të caktuara.

Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësues të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me Bankën Botërore, 2 nga donatorët më të rëndësishëm për projektet në Infrastrukturë dhe Transport, Dervishaj tha se pala shqiptare është e angazhuar maksimalisht për ta ndërtuar këtë linjë të re hekurudhore, brenda afateve të caktuara nga donatorët.

Ministri Dervishaj kërkoi përfshirjen në projekt edhe të stacionit të vjetër të trenave në Tiranë, për ta lidhur më tej me Kasharin, propozim që gjeti mbështetjen nga drejtori i BERZH-it.

Nga ana e tij drejtori drejtori i BERZH, Colagneli, tha se synohet firmosja e marrëveshjes brenda këtij viti, për ti hapur rrugë fillimit të punimeve në 2017. Colagneli njoftoi se janë siguruar fondet për implementimin e këtij projekti strategjik. Ministri theksoi se kjo linjë e re hekurudhore do ti japë një dimension dhe zhvillim të ri transportit hekurudhor.

Gjatë takimit me drejtorin e BERZH, Ministri Dervishaj u ndal te reforma e ujit, duke theksuar se shumë shpejt fillon edhe faza e dytë e kësaj reforme të rëndësishme që lidhet me implementimin në 61 ujësjellësat e rinj në gjithë vendin.

Dervishaj tha se në këtë fazë, do të synohet përfshirja dhe bashkëpunimi me kryetarët e bashkive, për ta zbatuar me sukses këtë reformë të rëndësishme. Ministri shtoi se një element që do i shtohet kësaj faze të dytë, është përfshirja e shoqërisë civile, pasi kjo reformë në thelb është një shërbim për qytetarët.

Ministri Dervishaj, theksoi gjithashtu domosdoshmërinë për një qasje me strategjike ndaj transportit detar, si një dimension i rëndësishëm për transportin dhe ekonominë e vendit, që ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: