TIRANE- Policia e kryeqytetit sqaroi dje dinamikën e ngjarjes me një të vrarë e një të plagosur që ndodhi të premten në Bathore. Ndërsa burime nga grupi hetimor thanë se personi që ka shkrepur armën e gjahut, duke vrarë Aleksandër Barlikën, është 16- vjeçari Ledjan C.

Megjithatë, Policia ka arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje edhe babanë e tij, Rasim Cani. Adoleshenti ka pranuar krimin para oficerëve të Policisë, duke u shprehur se armën e ka shkrepur ai dhe jo i ati. Ndërsa veprimin e tij e ka argumentuar duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje.

“Pashë njërin nga dajat e Klaudios që nxori nga brezi një pistoletë dhe e drejtoi për të na qëlluar. Për të mbrojtur babanë, vëllain dhe veten, mora çiften dhe qëllova unë i pari në drejtim të tyre”, është shprehur adoleshenti Ledjan C.

“Nga hetimet e kryera ka rezultuar se konflikti ka nisur në këto rrethana: Shtetasit Klaudio P. dhe Ledjan C. janë konfliktuar midis tyre për motive të dobëta. Në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Aleksandër Barlika, Altin Barlika (dajat e shtetasit Klaudio P.) dhe Rasim Cani (babai i Ledjan C.), të cilët janë konfliktuar fillimisht me mjete të forta me njëri-tjetrin.

Konflikt, i cili më pas është përshkallëzuar në përdorim të armëve të zjarrit e më saktësisht, shtetasit Aleksandër Barlika (Bajrami), 35 vjeç dhe Altin Barlika (vëllezër ndërmjet tyre), të shoqëruar dhe nga nipi i tyre Klaudio P., kanë nxjerrë një armë tip pistolete dhe kanë tentuar të qëllojnë ndaj shtetasve Ledjan C., Dritan C. dhe Rasim Cani.

Në këtë kohë, duke përfituar nga gjendja e rrëmujës së krijuar, shtetasi Ledjan C. ka marrë një armë gjahu, tip çifte, me të cilën ka qëlluar shtetasin Aleksandër Barlika, që ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra dhe shtetasin Altin Barlika, i cili ka marrë dëmtime të lehta trupore”, tha dje në njoftimin zyrtar Policia e Tiranës./panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb