Nga: Tim LISTER

“Dënoj”, “keqardhje” dhe “denoncoj”, fjalë që dëgjohen pothuajse çdo ditë nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe qeveritë perëndimore, rreth mizorive që po kryhen kundër mijëra civilëve në Ghoutën Lindore, jashtë Damaskut. Por këto fjalë nuk shoqërohen me kërcënime për ndëshkime apo afate për armëpushim. Kërkesat e OKB-së për armëpushim po bien në veshë të shurdhër.

Me sa duket nuk mund të bëhet asgjë për të ndaluar regjimin e Assadit nga shkatërrimi i zonës në të cilën rreth 400,000 njerëz jetojnë nën rrethim pa akses ndaj kujdesit shëndetësor apo ushqim dhe ujë.
Për grupet e shumta të të drejtave të njeriut që ulërasin për vuajtjet në Ghoutën Lindore, kjo mungesë veprimi llogaritet si një abdikim moral. Superfuqitë e botës me sa duket qëndrojnë të pafuqishëm ndërsa provat shtohen se regjimi sirian kë vënë në shenjestër spitalet dhe vazhdon të përdorë gazin klorinë si një armë terrori.
Më 23 janar Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson tha: “Sulmet e fundit në Ghoutën Lindore ngrejnë shqetësime serioze se regjimi sirian i Bashar al-Assadit mund të jetë duke vazhduar përdorimin e armëve kimike kundër popullit të tij”.
Ai paralajmëroi ata që përdorin armë të tilla se: “Një ditë do jepni llogari për krimet tuaja kundër njerëzimit”. Kryediplomati amerikan gjithashtu fajësoi Rusinë se nuk po kufizonte regjimin e Assadit.
Më 1 shkurt Departamenti i Shtetit tha se ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar për një raport tjetër të përdorimit të gazit klorinë nga regjimi sirian për të terrorizuar qytetarët e tij” në Ghoutën Lindore, sulmi i tretë me gaz klorinë i raportuar brenda një muaji.
Por gjuha e ashpër e vitit të kaluar të Administratës Trump ka avulluar. Pasi akuzoi regjimin sirian për përdorimin e armëve kimike në prill të 2017, Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore kundër një baze ajrore siriane duke u shprehur: “Përpjekjet e mëparshme të shumë viteve për të ndryshuar sjelljen e Assadit kanë dështuar të gjitha, në mënyrë dramatike”.

Në qershor të vitit të kaluar, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi se Assadi dhe “ushtria e tij do të paguajnë një çmim të shtrenjtë” nëse përdorin armë kimike përsëri.
Por regjiimi sirian dhe mbështetësit e tij në Moskë dhe Teheran me sa duket tani e ndjejnë se kanë liri të plotë për të përfunduar rimarrjen e zonave të Sirisë që ende janë nën kontrollin e forcave rebele.
Dhe për banorët e Ghoutës Lindore, nuk ka rëndësi nëse ata janë shënjestra e armëve kimike apo bombave, rezultati është i njëjti: vrasjet në masë të njerëzve që nuk kanë kushtet minimale të jetesës.
Perëndimi tani ka më pak opsione pasi në mënyrë efektive i dorëzoi Presidentit Rus Vladimir Putin detyrën që t’i jepte fund konfliktit sirian. SHBA dhe aleatët e saj me kalimin e kohës tërhoqën mbështetjen për grupet rebele dhe zbutën këmbënguljen e tyre që Assadi duhet të largohet nga pushteti si pjesë e marrëveshjes. Ata lejuan rusët të nxisnin zgjidhjen e konfliktit përmes taktikave të rrethimit të kalibruara mirë, armëpushimeve lokale dhe “zonave pa konflikt”.
Rusia dhe aleatët e saj, Irani dhe Turqia, madje e shpallën Ghoutën Lindore si një nga katër “zonat pa konflikt”. Ky është një moment vendimtar, i krahasueshëm me momente të tjera kritike për të drejtat e njeriut në 25 vitet e fundit.
Pas tre vitesh tmerri në Bonjë, u desh masakra e 1995 në Srebrenicë, në të cilën rreth 8000 burra dhe djem muslimanë u vranë me gjakftohtësi, për të nxitur perëndimin që të vepronte kundër serbëve të Bosnjës. Srebrenica ishte një “parajsë e sigurt” e OKB-së ashtu si Ghouta është një “zonë pa konflikt”. Por të dyja u bënë zona vrasjesh.

Në 2011, fuqitë perëndimore përdorën raketat dhe sulmet ajrore kundër forcave të liderit të Libisë Muamar Gadafi për të shmangur atë që mund të kishte qenë një masakër e tmerrshme në Benghazi.
SHBA filloi të bombardonte ISIS në verën e vitit 2014 ndërsa grupi terrorist u përpoq të asgjësonte minoritetin Yazidi të Irakut verior.
Presidenti Obama deklaroi në 2011 se parandalimi i gjenocidit dhe mizorive ishte “një interes kryesor i sigurisë kombëtare dhe një përgjegjësi thelbësore morale e Shteteve të Bashkuara.” Por në 2013, pasi regjimi sirian përdori për herë të parë armë kimike në Ghouta, Administrata Obama vendosi kundër një sulmi ushtarak, ndërsa iu bashkua përpjekjes ndërkombëtare për t’i hequr regjimit armët kimike.
Që në atë kohë më shumë se 400,000 njerëz kanë humbur jetën në Siri.
Në një thirrje të dëshpëruar një javë më parë, Komisioneri i Lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut Zeid Ra’ad Al Hussein bëri një krahasim mes Bosnjës dhe Sirisë duke thënë se:
“Të paktën konflikti në Bosnjë u ndalua nga komuniteti ndërkombëtar pas 4 vitesh. Pas 7 vitesh të përgjakshme, konflikti sirian vazhdon, dhe dështimi për t’i dhënë fund këtij konflikti shënon një dështim epik të diplomacisë globale”.

Analiza e CNN

(Përktheu për BalkanWeb/Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: