Policia ka bërë publike ditën e djeshme fotografinë e personit të dyshuar për grabitjen e ndodhur në Rinas, më 30 qershor 2016, ku u morën 1 milion euro nga pista e avionëve. Aleks Pepa i dyshuari, siç pretendon policia, është 40-­vjeçari me origjinë nga Elbasani, raporton “Panorama”.

Ky person, sipas Policisë, është skeduar dhe më parë, ndërsa po bëhen kërkime për precedentët penalë të tij.

Në gjurmimin e këtij të dyshuari mësohet se janë angazhuar policia italiane, greke dhe rumune, me qëllimin për ta arrestuar, pasi dyshohet se ai fshihet duke lëvizur në këto tri shtete, duke qenë se është larguar nga Shqipëria.

Sipas vendimi të Gjykatës për caktimin e masës së sigurisë, ka dyshime se 40­-vjeçari ka pasur rolin e shoferit të automjetit “Mercedes­Benz” me ngjyrë vishnje të përdorur në grabitje. Disa ditë pas grabitjes, ky shtetas së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë bërë plane për ruajtjen e parave që kishin vjedhur dhe më pas është larguar nga Shqipëria.

Hetuesit janë ndihmuar nga parukja e mbetur gjatë braktisjes së automjetit të përdorur në grabitje nga autorët. Më konkretisht, parukja është gjetur te vendi ku u braktis dhe u dogj vetura e përdorur nga autorët e krimit.

Hetuesit dyshojnë se parukja është përdorur nga Aleks Pepa, i cili dyshohet se ka qenë dhe drejtuesi i mjetit që shihet teksa futet në pistën e Rinasit, marrin paratë në harkun kohor të 60 sekondave dhe kanë arritur të largohen pa u pikasur apo ndalur nga kompania private e sigurisë ICTS në Rinas.

Ndërkohë që Policia ka publikuar dje foton e të dyshuarit si shofer në makinë e grabitësve në Rinas, ende nuk dihet asgjë për të paktën dy persona të tjerë që kanë qenë bashkëpunëtorë të tij gjatë realizimit të ngjarjes.

Dosja është pa autor në lidhje me personat e tjerë të implikuar në grabitjen e ndodhur brenda aeroportit ndërsa nuk dihet asgjë as për destinacionin e shumës së parave. I dyshuari Aleks Pepa, sipas policisë, ka dalë nga Shqipëria pak ditë pas ngjarjes, kurse të njëjtën gjë mendohet se kanë bërë edhe dy personat e tjerë që kanë marrë pjesë në grabitjen me armë brenda aeroportit të Rinasit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: