Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh detaje të reja lidhur me arrestimin e katër policëve të pikës kufitare të Qafë-Thanës, Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni, Ervin Kodra me detyrë kontrollor hyrje dhe dalje, Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje, Syrja Terziu si kontrollor në hyrje, të cilët akuzohen se lejuan kalimin e një kamioni me 8 ton kanabis të sekuestruara më pas në Ankona.
Sipas grupit hetimor një nga policët shihet në kamerat e sigurisë së doganës së Qafë-Thanës duke hyrë në kamionin që trasportonte drogën.

Në bazë të filmimit ai shihet duke marrë ose duke lënë diçka, raporton TV Klan. Ndërkohë, që shoferi maqedonas i arrestuar në Itali shihet duke komunikuar më shpesh me katër policët e prangosur.
Por, pavarësisht këtyre provave të arrestuarit ditën e hënë para gjykatës së krimeve të rënda mohuan akuzat. Sipas tyre kontrolli i mjetit duhej të kryhej nga punonjësit e doganës. Përsa i përket sistemit TIMS policët mësohet të kenë deklaruar se në datë 4 shkurt kur kamioni ka kaluar në Qafë-Thanë nuk punonte.

Kujtojmë se për këtë rast Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nën shënjestër edhe disa persona të tjerë. Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se mes personave të vënë nën hetim janë edhe disa biznesmenë shqiptarë e maqedonas. Po kështu hetimi është shtrirë edhe mbi punonjësit e tjerë të pikave kufitare të Qafë Thanës dhe portit të Durrësit.

Policia italiane në bashkëpunimin me doganat bënë të mundur zbulimin e rastit të trafikut, ku lënda narkotike e cila kishte kaluar nëpër Shqipëri dhe do të përfundonte në Ankona. Menjëherë pas lajmit, policia shqiptare nxitoi të deklaronte se droga nuk kishte kaluar nëpër Shqipëri, por arrestimet e 4 oficerëve të policisë të bërë mbrëmjen e djeshme hodhën poshtë pretendimet e uniformave blu të bëra më parë.

Si u transportuan drejt Italisë 8 ton drogë me kamion dhe cila ishte skema e ndjekur?

Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda thuhet se droga prej 8 tonësh kanabis është marrë nga Shqipëria dhe është kaluar me mushka a me mjete të ndryshme në Maqedoni. Më pas është tentuar që të kalohej me procedura transiti nëpër vendin tonë. Kamioni i mbushur me kanabis ka qenë transit nga Maqedonia për në Itali. Atij i janë bërë procedurat e transitit në Qafë Thanë. Me rregulloren e doganave, në rast tranzitimi, kontrolli bëhet vetëm në pikën e hyrjes.

Sipas të dhënave nga Prokuroria e Krimeve, kamioni ka hyrë në Qafë Thanë më 4 shkurt 2017, dhe më 5 shkurt është paraqitur në Portin e Durrësit, por nuk është futur në skaner dhe as nuk është kontrolluar pasi u pa dokumentacioni i tij.

Mësohet se kamioni ka qenë i rregullt, i plumbosur dhe i vulosur me vulën e Qafë Thanës dhe për këtë arsye, nuk iu bë më kontrolli në dalje. Ky duket ka qenë dhe shkaku që kamioni nuk është kontrolluar në Durrës, por që më pas u kap në Ankona.

Pala italiane ka nisur hetimet pro-aktive për rastin, dhe pas ndalimit të shoferit maqedonas të kamionit, po zbulohet edhe skema e trafikut të lëndës narkotike.

Sakaq, sipas të dhënave nga Prokuroria rezulton se kamioni nuk është regjistruar në sistemin TIMS në Qafë Thanë, por në Portin e Durrësit rezulton i regjistruar në dalje.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb