Mediat italiane shkruajnë se kufoma e gjetur në ujërat e Castro (Lecce), mund t’i përkasë avokatit shqiptar të zhdukur Besnik Muço. Lidhur me këto dyshime, Prokurori i Maceratës kërkoi testin e ADN-së për kufomën e gjetur.

Do të jetë testi i ADN-së, ai që do të hedhë më shumë dritë mbi ngjarjen. Trupi i pajetë është gjetur para disa ditësh në brigjet italiane, sipas mediave italiane, viktima është dëmtuar ndoshta për shkak të përplasjes së vazhdueshme me shkëmbinjtë në det.

“Trupi është shumë i gjymtuar dhe duket se nuk ka kokë. Ai gjithashtu nuk ka rroba. Prandaj është e pamundur të identifikohet nga autoritetet në Lecce, të cilët e vendosën trupin në frigoriferin e morgut të qytetit”, raportojnë mediat italiane.

Trupi i pajetë u gjet më 5 nëntor në zonën e Punta Correnti jashtë portit të marinës së Castro, por kushtet e këqija të motit kishin bërë të pamundur nxjerrjen e trupit, dhe një ditë më pas është dashur ndërhyrja e ekipit të Rojes Bregdetare.

Sipas hipotezave të bëra mbi ngjarjen, dyshohet se trupi i pajetë mund t’i përkasë avokatit shqiptar Besnik Muço. Ai u zhduk që më datën 2 nëntor të këtij viti, pasi u nis me tragetin e linjës Durrës-Bari, për të shkuar te familja e tij, në Macerata, ku jetonte prej 15 vitesh.

Bashkëshortja e tij ka mbërritur në Shqipëri pak ditë më parë për të ndjekur nga afër hetimet për gjetjen e bashkëshortit të saj, ndërsa dy fëmijët i kanë lënë me gjyshërit në Itali.

Gruaja e Besnik Muços denoncoi zhdukjen e bashkëshortit të saj tek karabinierët e Maceratës, të cilë po zhvillojnë hetimet për këtë denoncim. Me gjetjen e trupit të pajetë më 5 nëntor në Pulia, dyshohet se i përket avokatit të zhdukur, pasi në atë zonë ku është gjetur viktima nuk ka denoncime për persona të tjerë të zhdukur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: