TIRANE- Pas atentatit me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Kinostudios, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Mario Majollari, kanë dalë në dritë detaje të reja. Hetimet e para të policisë janë orientuar në drejtim të hakmarrjes, pasi babai i tij është dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy personave në vitin 2000.

Madje për këtë qëllim para 3 vjetësh 28-vjeçari kishte kërkuar azil në Suedi pasi ndihej i rrezikuar, por kërkesa iu refuzua dhe ai u kthye në Tiranë.

Deri më tani janë shoqëruar në polici 15 persona, dëshmitarë dhe të dyshuar. Në polici janë shoqëruar edhe familjarët e dy personave që vrau në vitin 2000 i ati i Marios, të afërmit e Amarildo Nelaj dhe Ilir Gjuzi.
vrasja
Mësohet se vëllai i Ilir Gjuzit, nuk është gjetur në banesë kur ka shkuar policia, dhe momentalisht mbi të rëndojnë dyshimet se mund të ketë lidhje me këtë ngjarje.

Sakaq, në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja, por gazetarja Doriana Bezat raporton për “BalkanWeb” se mbi trupin e 28-vjeçarit kanë rënë 3 plumba, njëri prej të cilëve e ka prekur në kokë.

Mëngjesin e sotëm, fqinjët e tij kanë vendosur tufa me lule dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku u vra 28-vjeçari. Të tronditur nga ngjarja dhe mes lotësh, ata thonë se Mario ishte një djalë shembull, i arsimuar, dhe i qetë.
pamja nga vrasja
Fqinjët thonë se nuk ishin në dijeni të së shkuarës së babait të Marios, pasi prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte vetëm 2 vjeç. Nëna e tij është kujdesur për ta rritur dhe arsimuar.

Ata thonë se Mario ka punuar që në moshë të vogël, për të përballuar shpenzimet. Por edhe pse e kishte ndjerë rrezikun dhe kishte kërkuar azil, 28-vjeçari mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme pranë banesës së tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb